Lajçak: Arrihet pajtimi për agjendën e dialogut më 16 korrik
12 Korrik 2020
Dialogu Prishtinë – Beograd, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, u zhvillua të dielën në Bruksel përmes një video-konference.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, tha se është arritur pajtueshmëri për agjendën e takimit të radhës në Bruksel dhe elementet kryesore të procesit të dialogut.
“Jam i lumtur të them se pas Samitit të Parisit dhe takimit të sotëm midis Kosovës dhe Serbisë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve është kthyer në rrugë të drejtë pash 20 muajsh. Si rezultat i takimit të sotëm, ne u pajtuam për elementet kryesore të procesit dhe agjendës së takimit tonë të radhës që do të mbahet të enjten në Bruksel. Falenderoj partnerët për angazhimin konsturktiv”, tha Lajçak.
Përfaqësuesit e BE-së kishin zhvilluar takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të përfunduar me një takim të përbashkët mes dy palëve.
Para fillimit të dialogut, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se arritja e një marrëveshjeje është thelbësore për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe ajo duhet të jetë gjithpërfshirëse, finale dhe ligjërisht obliguese./REL