Lajçak: Dialogu solli marrëveshje të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë

 

Sot janë mbushur dhjetë vjet nga fillimi i dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak u shpreh se gjatë procesit të dialogut janë arritur marrëveshje të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë.

“10 vjet pasi palët u ulën për herë të parë në Bruksel, dialogu solli marrëveshje të rëndësishme. Ata bënë një ndryshim real për njerëzit në Kosovë dhe Serbi, për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për aspiratat evropiane të një rajoni të tërë”, shkroi diplomati sllovak në Twitter.

Deri te fillimi i bisedimeve erdhi pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010 ka miratuar rezolutën nga 27 vendet e atëhershme të BE-së, e cila ka hapur rrugë për fillimin e dialogut, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Në një gjë të tillë ka kontribuuar mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë më 2010, sipas të cilit, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Dialogun teknik në vitin 2011 e ka udhëhequr Qeveria e Kosovës dhe në krye të ekipit negociator të Kosovës ishte Edita Tahiri.

Edhe pse në fillim ishte paralajmëruar që Kosova do të bisedojë me Serbinë vetëm për çështje teknike, të cilat janë udhëhequr nga ekipet teknike të të dyja shteteve, në fund 2012, krahas bisedimeve teknike, filluar edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Negociatat janë zhvilluar nga kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Marrëveshja e parë në kuadër të këtij procesi ishte arritur ndërmjet dy kryeministrave, në prill 2013. Më vonë, procesi është ngritur në negociata në nivel të presidentëve. Kosovën e ka përfaqësuar presidenti Hashim Thaçi, ndërsa Serbinë, Aleksandar Vuçiq.

Deri më tani janë arritur mbi 23 marrëveshje në dialogun në nivelin teknik dhe politik. Marrëveshja e parë më 2011 ishte për regjistrat civil.

Në vitin 2015 është arritur marrëveshja për shpërbërjen dhe integrimin e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile” në veri të Kosovës, marrëveshja për njohjen reciproke të policave të automjeteve, për energji si dhe marrëveshja për certifikatat ADR, ndërsa në janar 2017 marrëveshja për integrimin e gjyqësorit në veri të Kosovës.

Në nëntor 2018, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka vendosur taksë 100% ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, duke e kushtëzuar tërheqjen e këtij vendimi me njohjen e Kosovës nga Beogradi zyrtar.

Ndërsa, Albin Kurti, i cili e ka drejtuar Qeverinë e Kosovës për 51 ditë, në vitin 2020 e ka shfuqizuar vendimin për taksa dhe e ka zëvendësuar me masa të reciprocitetit. Pas rënies së Qeverisë Kurti, në krye të Ekzekutivit erdhi Avdullah Hoti nga radhët e LDK-së, i cili ndër vendimet e tij të para që mori ishte shfuqizimi i vendimit për reciprocitet.

Dialogu Kosovë -Serbi ka rifilluar më 16 korrik 2020 në Bruksel, me takimin e kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku tema kryesore ishin personat e pagjetur dhe bashkëpunimi ekonomik. Ndërsa, më 4 shtator në Washington është nënshkruar marrëveshja Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e SHBA-së, për normalizim ekonomik.

Marrëveshja përfshin një sërë projektesh ekonomike, si ndërtimi i autostradës, i linjës hekurudhore dhe nisja e fluturimeve Prishtinë-Beograd. Në këtë marrëveshje, palët po ashtu janë pajtuar që SHBA të kryejë studim fizibiliteti në Ujman.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021 në Kosovë, lideri i partisë fituese Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka paralajmëruar se dialogu do të jetë prioritet i katërt në qeverisjen e tij, ndërsa emisari special i BE-së, Mirosllav Lajçak ka thënë se pret takimin Kurti-Vuçiq para verës.

Back to top button