Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një postimi në Twitter ka thënë se Kosovës i duhet dialogu dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Lajçak ka treguar se çfarë u bisedua në takimin që pati sot me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Pata një bisedë shumë të mirë dhe të thellë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. U pajtuam se Kosovës i duhet dialogu dhe i duhet një marrëveshje gjithpërfshirëse”, ka shkruar Lajçak.

Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit me Emisarin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, ka treguar se me të kanë biseduar miqësisht rreth arritjes së marrëveshjes reciproke Kosovë-Serbi. “Mund të konkludoj se bashkëbisedimi ynë ka qenë korrekt, konstruktiv dhe bisedë e hapur e miqësore në drejtimin e gjetjes së mundësive për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë që do të nënkuptonte njohje reciproke dhe mundësinë që Kosova të anëtarësohet në OKB”, ka thënë Thaçi në një konferencë për media.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbisë, Mirosllav Lajçak do të qëndrojë në Kosovë për një vizitë treditore, ku dje në ditën e parë fillimisht u takua me kryeministrin Avdullah Hoti e më pas edhe me kryeparlamentaren Vjosa Osmani. Pas takimeve me krerët institucional, Lajçak gjatë tërë ditës pritet të takojë edhe liderët tjerë partiakë në vend. /21Media