Hovenier: SHBA mirëpret vendimin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA mirëpret vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin e Bashkimit Evropian.
Ai ka shtuar se SHBA do të ofrojë mbështetjen për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evorpian.
“Shtetet e Bashkuara është e inkurajuar dhe mirëpret vendimin e Kosovës që po ashtu ta pranojë në parim propozimin e Bashkimit Evropian dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e plotë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme për Kosovën dhe për Serbinë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.


08: 30: Lajçak paralajmëron takim të nivelit të lartë: Më vjen mirë Kosova tani e pranoi në parim Propozimin e BE-së
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se ndihet i gëzuar që edhe Kosova në parim pranoi planin franko- gjerman.
Ai këto komente i ka bërë mëngjesin e së martës në Twitter, një ditë pasi ka zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë, dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Beograd.
“Udhëtova për në Prishtinë për të takuar kryeministrin Albin Kurti dhe Besnik Bislimin. Edhe në Beograd bëra të njëjtën gjë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviqin. Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi në parim Propozimin e BE-së. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçak.
Kurti pas takimit me Lajçak të hënën ka thënë se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shkëmbim i mirë me të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak gjatë një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti në Twitter./21Media

Back to top button