Lajm i mirë për shqiptarët, SHBA zgjat në 10 vjet vlefshmërinë e vizave

Në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, Ambasada amerikane ka njoftuar një lajm shumë të mirë për qytetarët shqiptarë që do tu krijojë lehtësira për të vizituar miqtë dhe familjarët e tyre në SHBA.
Ambasadorja, Yuri Kim me anë të një videomesazhi në twitter thotë se duke filluar nga 1 prilli i këtij viti, vlefshmëria e një vize të re turistike apo biznesi do të zgjatet nga tre në dhjetë vjet.
“Kjo do të thotë se nëse jeni një qytetar shqiptar që merr një vizë turistike apo biznesi në 1 prill ose më pas, viza juaj do të jetë e vlefshme për dhjetë vjet, jo vetëm tre. Ju do të keni mundësi të shkoni dhe të vizitoni në SHBA në bazë të ligjeve dhe rregullave përkatëse pa pasur nevojë të rinovoni vizën tuaj deri në 2032”, tha ajo.
Kim tha se vendimi i SHBA-ve për të zgjatur volefshmërinë e vizës në dhjetë vjet pasqyron faktin që shqiptarët gjithjë e më shumë po ndjekin rregullat kur vizitojnë SHBA.
“Shpresoj që të gjejmë akoma dhe me shumë mënyra për të afruar shqiptarët dhe amerikanët sëbashku. Ne presim me kënaqësi që t’ju mirëpresim në SHBA dhe presim me kënaqësi edhe 100 vite të tjera si miq”, tha ajo tutje./21Media

Back to top button