“Lajmi për vrasjen e arsimtares, erdhi në orën e mësimit ku flitej për parandalimin e dhunës ndaj gruas”

15:15 (Lajm i përditësuar)
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci reagoi pas vrasjes së 63 vjeçares në Prishtinë. Ajo tha se vrasja e grave dhe vajzave është një nga temat më të dhimbshme të shoqërisë sonë.
“Prandaj, ne si institucione, bashkë me të gjithë akterët tjerë, të kujdesemi më shumë, që ngjarje të tilla të mos ndodhin. Po ashtu, të punojmë sot që t’i edukojmë fëmijët tanë, vajzat e djemtë, se e ardhmja do të jetë e sigurtë vetëm si të barabartë dhe pa dhunë.”, shkroi ajo.
Nagavci  tregoi se lajmi erdhi në kohën kur në shkollat e Kosovës, ora e parë e mësimit po i dedikohej parandalimit të dhunës ndaj gruas, si pjesë e Kampanjës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”.
“Këtë rast, e bën edhe më të rëndë fakti se kjo grua që u vra sot ishte mësimdhënëse në një shkollë të kryeqytetit dhe do të mungojë sot e përgjithmonë te nxënësit e saj. “, tha Nagavci.
15:15- Agjencia për Barazi Gjinore dënon vrasjen e mësueses 63 vjeçare
Agjencia për Barazi Gjinore dënoi vrasjen arsimtares 63 vjeçare mëngjesin e sotëm. Kjo agjenci thekson se ky akt ndodhi pikërisht në ë e parë të Fushatë Ndërkombëtare për Eliminim e Dhunës ndaj Gruas.
“Përkundrejt planeve dhe mesazheve të përgatitura paraprakisht për të shënuar dinjitetshëm ketë fushatë të rëndësishme, sot me trishtim dhe indinjate dënojmë humbjen e jetës së S.G qytetare e Prishtinës, mësueses 63 vjeçare qe sot humbi jetën, atje ku jeta saj duhet te ishte me e mbrojtur nga një vepër makaber nga duart e bashkëshortit të saj.”, thuhet në reagimin e kësaj agjencie.
Më tej, Agjencia për Barazi Gjinore në reagim thotë se dhuna në familje, marrja e jetës nuk ka justifikim për çfarëdo arsye dhe burim konflikti.
Humbja e jetës është e pa justifikuar dhe jeta e dikujt nuk është prone e askujt përveç bartësit të saj.
“Agjencia për Barazi Gjinore bënë thirrje çdo qytetari dhe qytetare qe dhunën kundër gruas dhe në baza gjinore ta luftojmë së bashku jo vetëm gjatë 16 Ditëve, por çdo ditë të vitit ta trajtoj dhe ta konsiderojmë si ditë të Aktivizmit Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës në Baza Gjinore.”. thuhet në reagim.
14: 35SBASHK reagon për vrasjen e arsimtares: Ishte anëtare e devotshme e sindikatës sonë
SBASHK ka reaguar për vrasjen e arsimtares, Sadije Godeni. SBASHK dënon këtë akt dhe shprehu ngushëllime për për familjen e bashkëpunëtorët.
Dhembja shtohet për të gjithë punëtorët e arsimit ngase si pasojë e dhunës familjare, që ka nisur të bëhet përditshmëri, humbi jetën mësimdhënësja dhe anëtarja e devotshme e sindikatës sonë Sadije Godeni. Loti e dhembja jonë bëhet bashkë me dhembjen dhe lotin e punëtorëve arsimorë në shkollën “Dardania” në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën. Të lutemi bashkë që ngjarje të tilla tragjike të mos ndodhin kurrë më”, thuhet në reagimin e SBASHK.
Arsimtarja Godeni dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.
13: 49 Pas vrasjes së 63 vjeçares reagon RrGK: Gratë po jetojnë në ambiente kërcënuese në Kosovë!
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar në lidhje me vrasjen e sotme të një gruaje 63 vjeçare nga bashkëshorti 70 vjeçar.
Sipas RrGK kjo vrasje vetëm se shpërfaq dhe thekson pasojat e rrënjosura të normave patriarkale dhe kulturore në kuadër të të cilave gratë vriten vetëm pse janë gra!
‘Gratë po jetojnë në ambiente kërcënuese në Kosovë! Masat rehabilituese për abuzues ende nuk ekzistojnë dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore vazhdojnë të mbesin pa rrugëdalje nga dhuna e përsëritur. Njëherit, punësimi i grave dhe trashëgimi i pronës mbesin ndër më të ulëtat në Ballkan dhe kjo i mban gratë të lidhura në ambiente abuzuese. Vlerësimet e rrezikshmërisë nga ana e zyrtarëve policorë janë të dobëta dhe pasojnë me raste recidiviste. Dënimet nga gjykatat vazhdojnë të jenë të ulëta dhe absurde duke rikthyer në gjykim personat përgjegjës për vrasje brutale të grave dhe duke u dhënë të njëjtëve rrethana lehtësuese përgjatë procedurës penale. “, thuhet në ragim
Më tej RrGK thotë se vrasja e grave vjen si pasojë e dështimit institucional, social e kolektiv, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore si çështje parësore, në kuadër të sundimit të ligjit dhe qasjes në drejtësi.
“Neni 173 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, qartazi e ka të caktuar dënimin për Vrasjen e Rëndë, ku thuhet se personi që shkakton vrasjen e anëtarit të familjes apo të fëmijës, dënohet me burgim të përjetshëm. Andaj, RrGK kërkon që të shqiptohet masa ndëshkuese maksimale dhe të mos merren në konsideratë si masa lehtësuese dorëzimi i tij në polici dhe mosha e dhunuesit, siç është praktikë të konsiderohen këto të fundit nga gjykatat. RrGK, si rrjet i 190 organizatave të ndryshme për të drejtat të grave në gjithë Kosovën, do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore. “, thuhet në reagim.
Dyshohet se 63 vjeçarja u vra mëngjesin e sotëm me sëpatë nga bashkëshorti i saj.
“Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”, njoftoi Prokuoria Themelore e Prishtinës./21Media
10:19-Prokuroria jep detaje, 70-vjeçari dyshohet se e vrau bashkëshorten me sëpatë
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dhënë detaje për vrasjen që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku një 70-vjeçar dyshohet se ka vrarë gruan e tij 63-vjeçare.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi me inicialet I.G. (1952) për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Në njoftim bëhet e ditur se sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë.
Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë.
“Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”, bëhet e ditur në njoftim.
9:54-Vrasje e rëndë në Prishtinë, një burrë vret 63 vjeçaren
Një grua 63 vjeçare është vrarë sot rreth orës 04:40 në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë.
Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci konfirmoi për portalin rtv21.tv se i dyshuari për vrasjen është dorëzuar në polici.
“Rasti është cilësuar vrasje e rëndë. Lidhur me rastin është vetëdorzuar një person i dyshuar: I. G, mashkull 70 vjeç. Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit, është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit”, tha Borovci.
Ai po ashtu bëri të ditur se trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeçare, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion./21Media

Back to top button