Ish i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Wisner, në një intervistë për RTV21 ka deklaruar se dialogu duhet të vazhdojë, edhe pse situata aktuale paraqet krizën më të rëndë për Kosovën që nga pavarësia.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka ka vlerësuar lart kontributin e Wisnerit për Kosovën duke thënë se ai është një mik i madh i Kosovës, përfaqëson diplomacinë tradicionale amerikane, kurse për Richard Grenell u shpreh se s’e përfaqëson politikën dhe diplomacinë tradicionale amerikane.

Lauka ka përmendur edhe përçarjen mes BE-së dhe SHBA-së e që sipas tij s’është paraqitur tani me Kosovën, por janë probleme konceptuale, kryesisht mes administratës së Trumpit dhe BE-së.

Ish-ambasadori u shpreh se dialogu ka qenë dhe mbetet thembra e akilit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por zgjidhja që u përpoq të japë Grenelli sipas tij është e paqëndrueshme.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë ka folur edhe për aktakuzën e Speciales ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Kosovë, si dhe për tema tjera.

Lauka u shpreh që në të mirën e Kosovës do të ishte që Thaçi të jepte dorëheqje e në pozicionin e tij të vinte Vjosa Osmani.

“Zoti Thaçi, unë mendoj që është në të mirën e Kosovës që ta japë dorëheqjen dhe me Kushtetutën e Kosovës pozicionin e tij ta marrë Vjosa Osmani”, deklaroi ai mes tjerash.

Ish-ambasadori Lauka tha që kjo Qeveri duhet të bëjë përpjekje ta menaxhojë pandeminë, që sipas tij i ka dalë nga kontrolli, ta menaxhojë krizën ekonomike dhe të përgatit vendin për zgjedhje. /21Media