LDK e quan të papranueshëm vendimin e qeverisë për projektin e gazsjellësit amerikan

Lidhja Demokratike e Kosovës sonte ka komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e çuar përpara projektin e gazsjellësit amerikan, të cilin e ka quajtur hap të gabuar strategjik.
“Përveç se, në paranoizmin e pashpjegueshëm politik, e cilësoi të njëjtin si “gaz rus”, me këtë vendim, Kosova i refuzoi dhe 200 milionë dollarë, që Presidenti Biden, kohë më parë i kishte konfirmuar si grant – fonde falë – për Republikën e Kosovës dhe projektin në fjalë. Një veprim i pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon. Një humbje financiare dyqind milionëshe në një vend pa zhvillim. E pakuptimtë, e dëmshme, e papranueshme.”, është bërë e ditur në reagim.
LDK ka shtuar se përkushtimi i Kosovës në projekte strategjike amerikane nuk duhet të ketë hezitim. “Ecja jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë e përbashkët në politikë, ekonomi, siguri e energjetikë.”, është bërë e ditur tutje në komunikatë.
Ndryshe, Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli sot ka bërë të ditur se Kosova s’do të vazhdojë përpara me projektin për gazsjellësin, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, pasi “nevojiten më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik”./21Media

Back to top button