LDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Martin Berishajt

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa, dorëzuan në Zyrat e Prokurorisë Speciale, kallëzimin penal ndaj ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Selmanaj pasi njoftoi mediat lidhur me këtë tha se një gjë e tillë po bëhet për ta mbrojtur dinjitetin e Kosovës.
“Bashkë me kolegun tim Besian Mustafa dorëzuam në Prokurorinë Speciale të Prokurorisë së Kosovës një denoncim apo të themi kallëzimin penal rreth dëshmisë jo të saktë dhe jo të vërtetë që zotri Martin Berishaj, ambasadori Martin Berishaj e ka bërë para këtij Komisioni me datë 17 nëntor kur është intervistuar në Komisionin Hetimor. Prandaj, me qëllim që të mbrojmë dinjitetin e Kuvendit të Kosovës, të mbrojmë dinjitetin e kësaj Republike ne nuk mund të tolerojmë situata kur vjen një ambasador dhe vjen një dëshmitar dhe gënjen para Komisionit, nuk i tha të vërtetat përkundër që është i informuar paraprakisht për pasojat ligjore dhe penale që mund t’i ketë”, tha Selmanaj.
Në prill të vitit të kaluar në mediat në Lubjanë u publikua se ambasadori Berishaj se është përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni. Mbështetur në raportimet e asaj kohe, kompania e ambasadorit Berishaj, “MB Consulting”, i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet./21Media