LDK-ja fajëson VV-në për shkaktim të krizës politike

LDK-ja fajëson VV-në për shkaktim të krizës politike

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media thotë se e ka mbështetjen e degëve të LDK-së për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

“Duke shprehur shqetësimin e thellë rreth situatës pandemike në Kosovë dhe duke konstatuar përgjegjësinë e kryeministrit Albin Kurti dhe partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje për shkaktimin e krizës politike,  strukturat drejtuese qendrore dhe lokale të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dalin me këtë komunikatë: Në koordinim të plotë me Kryesinë e LDK-së dhe kryetarin Mustafa, kryetarët e Degëve të LDK-së dhe strukturat e saj përkrahin qëndrimin e Kryesisë në lidhje me partnerin e koalicionit dhe zhvillimet e fundit në vend.”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Në fund të komunikatës thuhet se kryetarët e degëve presin nga përfaqësuesit e tyre në Qeveri dhe Kuvend që të përfaqësojnë LDK-në dhe politikat e saj me dinjitet dhe ta mbrojnë legjitimitetin që e kanë marrë përmes votuesve.

“Për LDK-në, partneriteti me SHBA dhe aleatët është jetik për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës.

LDK-ja më 18 mars ka bërë të ditur se do të iniciojë mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti, kjo pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme./21Media