LDK kërkon dorëheqjen ose shkarkimin e Haxhiut për zhdukjen e mostrave të Deharit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kërkon dorëheqjen e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu pasi sipas të këtij subjekti politik ajo duhet të marrë përgjegjësi për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
“LDK vlerëson që zhdukja e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Institutit të Mjekësisë Ligjore që ekziston në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është superskandal… Ministrja e Drejtësisë është e paaftë të menaxhojë ministrinë dhe e paaftë që të udhëheq sistemin e reformave në sistemin e drejtësisë. Prandaj, dorëheqja e saj është minimumi i përgjegjësisë në këtë rast dhe në plot raste tjera… Kërkojmë dorëheqjen e ministres së
Drejtësisë”, tha deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj në një konferencë për media.
Ai shtoi se se nuk mjafton vetëm vendosja dhe pezullimi para komisionit disiplinor i zyrtarëve të IML-së.
Manaj tutje tha se në rast se Haxhiu nuk jep dorëheqje kryeministri Kurti duhet ta shkakrojë atë.
“Nëse ministrja e Drejtësisë nuk jep dorëheqje brenda ditës së sotme, e ftojmë kërkojmë kryeministrin Kurti që ta shkarkojë atë. Nëse ai nuk e shkarkon, ne e konsiderojmë bashkëpërgjegjës në këtë rast të zhdukjes së mostrave. Ky është momenti që do të tregojë vendosmërinë e kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tj për ta trajtuar me seriozitet dhe për ta zbardhur në plotni rastin e Astrit Deharit. Urojmë që zhdukja e këtyre mostrave të mos ndikojë në ndriçimin e rastit. Nëse ndodh që zhdukja e këtyre provave të ketë ndikim direkt në ndriçimin e plotë të rastit të Astrit Deharit, atëherë shtrohet pyetja, kujt po i intereson moszbardhja e këtij rasti?… Në zbardhjen e rastit të Astrit Deharit nuk mund të ketë hetim të drejtë pa dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, shkarkimi i saj tashmë është i vonuar”, tha ai.
Shëkmb Manaj më tej i bëri thirrje Prokurorisë Speciale dhe organeve të rendit që të ndriçojnë rastin e zhdukjes së mostrave./21Media

Back to top button