LDK: Nesër shihet Kurti opozitar, kryeministër kundërshtues apo ndarës i Kosovës

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri duke komentuar takimin në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq në Bruksel, ka thënë se nesër do ta këtë ditën për të dëshmuar se cili Kurti do të jetë në funksion, ai opozitar, kryeministër e kundërshtues apo pranues e ndarës de jure i një pjesë të Kosovës.
Haziri ka shkruar në Facebook se nëse krijohet Asociacioni pa njohjen nga Serbia, atëherë i bie që Kosova po jep gjithçka, për asgjë dhe në këtë mënyrë, Kosova ka me dalë ‘e lënduar’ prej procesit.
Sa për rikujtim, ai ka shkruar se çështja e Asociacionit ka qenë pjesë edhe e bisedimeve në Vjenë dhe se ata kanë arritur me pragmatizëm politik ta eliminojnë e ta heqin prej tavolinës.
“Pyetja se a po kalon ‘Zajednica’ tashmë është evidente në kuadër të planit franko-gjerman, duke e pasur kryeministër politikanin më jokonsistent në qëndrime që ka pasur Kosova. Do ta këtë nesër ditën për të dëshmuar se cili Kurti do të jetë në funksion – Kurti opozitar, kryeministër e kundërshtues apo Kurti pranues e ndarës de jure i një pjesë të Kosovës. A do të mbetet Mister No apo jo, do të provohet për herë të parë nesër”, tha ai.

Back to top button