​LDK refuzon frontin e përbashkët opozitar

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thotë se Kosovës nuk i duhet një front i bashkuar opozitar ndaj Qeverisë Kurti. Ai thotë se LDK nuk ka lidhje me PDK-në, AAK-në e aq më pak me parti të tjera jo parlamentare.
Ai thotë se bashkëpunimi opozitar tani është për shkak të natyrës që gjendet vendi politikisht, jo për shkak të bindjeve të njëjta ideologjike apo programore.
“Ne jemi parti të ndryshme. LDK nuk ka lidhje me PDK dhe AAK-në, e aq më pak me parti të tjera jo parlamentare. Ne kemi identitetin tonë politik, veprues dhe ideologjik. Bashkëpunimi opozitar është për shkak të natyrës që gjendemi politikisht, jo për shkak të bindjeve të njëjta ideologjike apo programore. Kosovës nuk i duhet front i bashkuar opozitar. Kosovës i duhet një LDK e fuqishme që merr mbështetjen qytetare dhe në bazë të programit të LDK-së më pas zhvillohet projektet konkrete dhe rikthehet integrimi euro-atlantik. Këto përpjekje mbijetesë të faktorëve politikë të shkuar nuk i analizojmë as nuk i mbajmë për bazë politike serioze të komunikimit të brendshëm politik”, thekson ai.
Abdixhiku për tregon edhe alternativën qeverisëse të LDK-së.
“Ne do të dalim me një program politik i cili do të jetë i detajuar për çdo fushë. Prej politikës së jashtme të brendshme, infrastrukturës, shëndetësisë dhe arsimit me ide konkrete. Pra do të flasim për projekte madhore energjetike, për termocentralin me gazë, do të flasim për reformën në arsim, për shkolla, çerdhe, mësimdhënës, për ndërtimet e reja, infrastrukturën, rrugët që do të përfundojnë shpejtë brenda dy vite e gjysmë. Do të flasim për gjëra dhe projekte konkrete për qytetarët tanë. Këtë program do të bëjmë publik shpejtë, siç do të flasim edhe për nevojën e një force politike që është koherente në zhvillimet e fundit. Prandaj e kemi hapur partinë për figura dhe profesionist të kohës. Vetëm gjatë vitit të kaluar LDK-së i janë bashkuar kryetarë komunash, deputetë të Kuvendit, anëtarë të shoqërisë civile dhe aktivistë të tjerë”, përfundon Abdixhiku.
​Abdixhiku për Asociacionin: Qeveria ta procesojë në bazë të vendimit të Kushtetueses
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të procesojë tutje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në bazë të vendimi të Gjykatës Kushtetuese, kërkesë e cila është edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lideri i LDK-së, i kërkon Kurtit të sqarojë pozicionin e vet para qytetarëve për ketë temë, të cilën e ka kundërshtuar në të kaluarën.
Ai përmend edhe deklarimin e fundit të Kurtit në Austri se asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes në kuadër të planit franko-gjerman për dialogun.
“Në vizitën në Austri ku bëhet një pranimi që (asociacioni) të jetë pjesë e marrëveshjes dhe mund të jetë pjesë e marrëveshjes. Dhe e dyta në deklaratën e Borrell në mbrëmjen e marrëveshjes së targave ku specifikisht thuhet se palët janë pajtuar që të zbatojnë gjitha marrëveshjet paraprake. Për LDK-në këto qëndrime nuk janë qëndrime të reja këto, pasi ne konsiderojmë se gjitha marrëveshjet paraprake duhet të implementohen brenda kushtetutshmërisë së Kosovës. Por i takon kryeministrit të Kosovës të bëjë një zgjidhje, siç i takon atij të qartësojë pozicionin e vet karshi votuesit dhe qytetarit të Kosovës. Pasi për vite të tëra ai ka mbajtur një qëndrim ndryshe dhe ka marrë mbështetjen qytetare për këtë dhe tani është një obligim moral i tij që për çdo ndryshim në këto qëndrime të bëjë qartë pozicionin e vet para qytetarëve të vendit dhe gjithë spektrit publik në Kosovë…Çështja e marrëveshjes rreth asociacionit ka epilog prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe njerëzve që e donë Kosovën përnjëmend. Ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe në bazë të tij duhet të procesojmë tutje. Tani i takon udhëheqësve shtetëror që të bëjnë këtë procesim tutje”, thotë ai.
Megjithatë, Abdixhiku, thotë i takon Qeverisë së Kosovës të përcaktojë faktin e vet politik, nëse dëshiron që të rrëzohet nga pushteti për mos themelimin e asociacionit.
“I takon qeverisë që e ka shumicën që të përcaktojë fatin e vet politik. Ne jemi në opozitë, e treta në parlament me numër të deputetëve që nuk mund të ndryshojnë shumicën në vend. I takon qeverisë që të bëjë zgjidhje, nëse nuk është e aftë të jep një zgjidhje dhe vendos të largohet prej detyrave të tyre kushtetuese, ne nuk mund të ndryshojmë fatin e një vendimi të tillë. Por në pushtet je për të marrë vendime dhe shtyrë agjenda ndërkombëtare dhe vendore, por që përputhen dyjat bashkërisht”, deklaron ai.
Ndërkohë, ai kritikon ekzekutivin që në emër të sovranitetit në veri është përplasur me faktorin ndërkombëtar, ndërsa tani në veri s’ka komuna, policë, prokurorë dhe gjykatës.
“Kosova nuk duhet të përplaset me faktorin ndërkombëtar në këtë periudhë të tanishme dhe e dyta duhet të fokusohet që mos të ketë telashe brenda territorit të vet. Pasi qasja e pakoordinuar me aleatët tanë ka sjell një situatë të re në veri, ku në emër të sovranitetit kemi më pak sovranitet. Pra sot në veri ka më pak sovranitet që ka pasur gjashtë muaj më parë. Tani nuk kemi policë atje, as prokurorë, gjykatës dhe nuk kemi as komuna”, thotë Abdixhiku./kp

Back to top button