LDK kërkon përfaqësim më të madh të gruas

LDK kërkon përfaqësim më të madh të gruas

Forumi i Gruas i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka bërë homazhe në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ dhe te Memoriali ‘Heroinat’, me rastin e shënimit të 29-vjetorit të themelimit të këtij forumi.

Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Lirije Kajtazi ka thënë se gruaja nuk është përfaqësuar sa duhet në jetën institucionale dhe shoqërore dhe se forumi që ajo drejton do të vazhdojë të mbështesin gratë për një jetë më të mirë dhe me dinjitet.

“Si edhe viteve tjera ne e kemi nderuar ngase është një sakrificë e familjes, që përket edhe me shtyllat e forumit të gruas, kujdesit ndaj familjes në çdo fazë. Nderim i përjetshëm komandantit dhe gjithë familjarëve të vet, që janë flijuar që sot Kosova të jetë shtet. Ndërsa neve na mbetet që edhe tutje të vazhdojmë në atë frymë të punës me të gjitha gratë që janë të interesuara ta zhvillojnë jetën e tyre më të mirë, por edhe me dinjitet. Për fat jo të mirë, nuk po ka mbështetje të mjaftueshme për gruan sot, për familjen. Kështu që edhe tutje i mbetet forumit të gruas që të ecë dhe të bashkëpunojmë me to”, ka thënë Kajtazi.

Ajo ka shfaqur shpresën se gratë në të ardhmen do të kenë një përfaqësim më të madh në jetën institucionale dhe shoqërore dhe se LDK e mirëpret çdo kandidaturë të grave.

“Sot, është 7 marsi është një ditë e shënuar për Forumin e Gruas së LDK-së, ngase është ditëlindja e forumit, 29 vite po bëhen që ne po luftojmë për demokracinë dhe për të mirën e qytetarëve në vend. Jemi bashkë me Forumin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, natyrisht është edhe një ditë e veçantë është Dita e Mësuesit. Shfrytëzojmë rastin që t’i urojmë gjithë mësimdhënësve, pranë të cilëve kemi qenë gjithherë, në kohë të vështira kur mbanin mësimin në shtëpitë-shkolla dhe kemi qenë afër çdo familje në nevojë. Prandaj në këto raste të veçanta i respektojmë figurat e mëdha dhe njeriun e madh të Kosovës, jo vetëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, të partisë së parë në regjion, jo vetëm në Kosovë, e cila pastaj reflektoi në një demokraci edhe në shumë vende të tjera. Si duket është fati i LDK-së, që jo vetëm ta lindë demokracinë në këtë vend, por edhe ta ruajë”, ka thënë Kajtazi.