Rep-artisti i njohur, Ledri Vula në rrjetet sociale publikoi videon e ish ushtarit të  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Kastratit që me rrëfimin e tij për luftën i emocionoi të gjithë.

Ledri për Avniun ka shkruar se është vetëm njëra frymë prej shumë frymëve që kanë luftuar për lirinë e vendit.

“Avniu 18 vjeç në vend se me dal me shku në fakultet, ose me dal me dosta, ose me dal deri në Prishtinë, ose me u gëzu per suksese të dostave, ai e ka kap pushkën qe sot 18 vjeçarët me shku në fakultet në gjuhë të vet, me pi kafe me dosta pa frikë se i vjen dikush nga mbrapa, me shku kah të dojnë pa frike se i ndal policia në postbllok, e ka kap pushkën që dosti dostin mos me pa te vramë e as te plagosun vetem pse eshte shqiptar. Avniu eshte vetem nje fryme prej shume frymëve qe kane luftu për lirine e vendit te vet. Ka luftuar për mu, për ty, për atë… ka luftuar për neve… #LiriaKaEmer”, ka shkruar Ledri.

Avni Kastrati tregon se i ishte bashkuar UÇK-së në moshën 18-vjeçare, ndërsa e falënderon Zotin që asokohe e ka pasur atë moshë dhe ka mundur ta rrokë armën për të luftuar për çlirimin e vendit. “Kur përmend UÇK-ja është një fjalë ma krenare e shpirtit tem”, thotë ai.

Ky ish ushtar i UÇK-së tregon një moment të rëndë gjatë luftës, kur në rrugë për në Shqipëri, i vdes një nga bashkëluftëtarët, që ishte një djalë i ri dhe i hasretit, një moment ky që e kishte bërë të qante si fëmija. Avni Kastrati thotë se Serbia tani po bën tjetër luftë, po përpiqet që ta barazojë veten me viktimën.

Kjo video është projekt i platformës “Lirisa ka emër”./21Media