Pas lehtësimit të masave për lëvizjen e qytetarëve, në pikën kufitare në Vërmicë, sot u pa një numër i madh i qytetarëve që po hynin në Kosovë.

Ndonëse shumë prej tyre nuk po respektonin masat mbrojtëse si mbajtja e maskave, ata vetëm iu nënshtruan kontrolleve mjekësore ku edhe iu morën të dhënat e tyre personale. Mosrespektim të distancës pati edhe tek radha e qytetarëve që prisnin për t’u kontrolluar.

Andi Nilo tha se ka pritur dy orë për të hyrë në Kosovë, derisa tregoi për kontrollet mjekësore të cilave iu nënshtrua, ai u ankua se nuk patë shenjëzime për mbajtje të distancës sociale që po rekomandohet si masë parandaluese ndaj COVID19.

“Po matëm temperaturën, thanë mbajë distancën por nuk ka as shenja se sa duhet të rrimë. Kështu me fol gjithçka por me vepra asgjë nuk po bëhet…dy orë”, tha ai.

Nga Shqipëria drejt Kosovës sot ka marrë rrugë edhe Ermidon Agaj, i cili tha se nuk i frikësohet shtimit të rasteve të reja me koronavirus në Kosovë.

“Pati pak (kolonë) po ia vlen… po u kontrolluam na i morën numrat e telefonit”, tregoi për procedurat në të cilat kaloi Agaj.

Ndriqim Ngadica sot me lehtësimin e masave zgjodhi të vijë për vizitë në Prizenin. Ai tha se kreu kontrollet mjekësore dhe konform kërkesave, dha të dhënat e tij personale.

“Vetëm me e pa sepse jetoj në kurbet, me pa Prizrenin e për t’u kthyer… dokumentet normale si kartën e identitetit, emrin, mbiemrin dhe u kontrolluam këtu”, tha ai.

Mbrëmë Qeveria e Kosovës ka lehtësuar masat për qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave me shtetet e rajonit, për të cilat pati kufizime që nga 13 marsi kur u paraqitën rastet e para me COVID-19 në vendin tonë. Po ashtu, nga sot qeveria vendosi që të heqë orarin e kufizimit të lëvizjes të qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00./kp