Në debatin parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, pas lejimit të përmbarimit të Vendimit Përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, deputeti Pal Lekaj tha se Telekomi po përballet me krizë të jashtëzakonshme financiare.

Sipas tij, institucionet duhet që sa më shpejt të gjejnë mundësi në mënyrë që kjo ndërmarrje të mos shkojë drejt falimentimit.

Kontratat me operatorët ekonomikë, si me Dardafonin dhe vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit, Lekaj tha se kanë qenë në dëm të Telekomit, duke dobësuar kapacitetet funksionale të saj.

Nga ndërmarrja më e suksesshme e shtetit të Kosovës për vite të tëra, Telekomi i Kosovës sot përballet me krizë të jashtëzakonshme financiare. Në krijimin e kësaj krize të thellë financiare brenda Telekomit të Kosovës kanë ndikuar shumë faktor. E arsyeja të cilat i kemi përmendur pa rreshtur. Madje edhe i kemi krijuar komisionin hetimor parlamentar në lidhje me Telekomin e Kosovës. Në vitin e fundit për shkak të disa marrëveshjeve paraprake funksionimi i Telekomit të Kosovës është determinuar nga veprimet paraprake ndër vite të menaxhmentëve të ndryshme. Këto veprime e kanë limituar mundësinë për manovrime financiare për të siguruar investime të mjaftueshme në produkte dhe shërbime të reja”, tha Lekaj.

Sipas tij, gjitha institucionet bartëse duhet sa më parë të krijojnë një strategji dalëse, në mënyrë që Telekomi të mos falimentojë. Kështu ai ka pasur edhe disa propozime, se si duhet të veprohet në mënyrë që Telekomi të këndellet.

Investimet emergjente të domosdoshme, sigurimi financimit përmes kredisë me vlerë prej 30 milionë euro. Zgjerimi i infrastrukturës së rrjetit me kapacitete përcjellëse konform kërkesave të përdoruesve, zgjerimi i infrastrukturës së rrjetit në aspektin e mbulueshmërisë të tregut. Inkasimi urgjent i borxhit ndaj Telekomit të Kosovës. Ulja e shpenzimeve operative, ri-konstruktimi i menaxhimit të objekteve për të cilat Telekomi paguan qira nga pagesat më të mëdha, mbizotëron qiraja ndaj Postës së Kosovës, Telekomi paguan rreth 400 mijë euro qira për shfrytëzimin e rreth 34 mijë metra katror. Pra, rreth 11,6 euro për metra katror. Nga kërkesat kryesore është kthimi në shfrytëzimin apo në pronësi të Telekomit, objektin kryesor në Prishtinë”, shtoi ai.

Lekaj kërkoi nga Prokuroria që të hetojë të gjitha vendimet që janë marrë dhe e kanë sjell Telekomin e Kosovës në këtë situatë të rëndë financiare. Dhe për këtë ai shtoi se duhet dhënë përgjegjësi.