Njëri nga ekspertët më të njohur për politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian profesori nga Parisi, Christian Lequesne, thotë se zgjerimi nuk është prioritet i lidershipit të Bashkimit Evropian në këtë kohë krize të shkaktuar nga pandemia.

Në një intervistë për KosovaPress, profesor Lequesne, fletë për mundësitë e hapjes së negociatave për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pamundësinë e anëtarësimit të Serbisë pa i normalizuar raportet me Kosovën, ndikimin që kanë negociatat mes Kosovës dhe Serbisë në proceset integruese, nevojën e forcimit të sundimit të ligjit në shtetet e Ballkanit Perëndimor, perceptimin e gabuar në disa shtete të Ballkanit se BE nuk do t’i pranojë ato shtete me popullsi myslimane etj.

“Situata është përmirësuar me vendimin për të filluar negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Tani kemi 4 shtete me të cilat mund të zhvillohen negociatat sipas Deklaratës së Selanikut të vitit 2003, edhe nëse këto negociata nuk kanë filluar akoma me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. Situata e Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës është natyrisht më e vështirë. Të qenit shtet anëtar i Bashkimit Evropian kërkon para së gjithash të jetë një shtet i plotë sovran dhe një shtet i stabilizuar. Bosnje-Hercegovina ende vuan nga vështirësitë duke qenë një shtet i dobët për shkak të kompromisit të vështirë midis komuniteteve. Kosova ende konsiderohet si pjesë e territorit të saj nga Serbia dhe madje nuk njihet nga 5 shtete anëtare të BE-së. Këto probleme duhet të zgjidhen para çdo procesi të zgjerimit. Një gabim i madh do të jetë të mendoni se zgjerimi është mrekullia që zgjidh gjithçka (ndërtimin e shtetit, çështjen e sovranitetit). Nuk është e vërtetë. Ekzistojnë parakushte për t’u anëtarësuar në një BE e cila mbetet një Union i shteteve sovrane”, ka thënë Lequesne.

Ai theksoi se për BE-në në tërësi, zgjerimi nuk është prioritet pasi që ka çështje të tjera për tu zgjidhur.

“Ekziston hipokrizia nga të dy palët, jam dakord. Për BE-në në tërësi, zgjerimi nuk është prioritet për momentin. Ka çështje të tjera (rimëkëmbja e ekonomisë, buxheti, Brexit) për tu zgjidhur. BE negocion zgjerimin e ardhshëm pa plan konkret për ta përfunduar atë. Për shtetet e Ballkanit, hipokrizia është të veprojë sikur rregullat demokratike dhe fundi i nacionalizmit të funksionojnë mirë. Nuk është rasti. Demokracia dhe toleranca përballë “tjetrit” nuk kanë arritur ende standardet e BE-së në shumicën e vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar eksperti për politikat e Zgjerimit të BE-së.

Ndërsa, duke folur për liberalizimin e vizave, ai ka thënë se kjo çështje mund të diskutohet me BE-në mënyrë të pavarur nga zgjerimi.

Lequesne ka shtuar se problemet politike mes Kosovës dhe Serbisë ka luajtur rol në procesin e liberalizimit.

Ai tutje ka shtuar se nuk sheh ndonjë mundësi reale që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në BE pa e njohur sovranitetin e njëra-tjetrës.

Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e BE-së ka qenë një hap shumë pozitiv, por kjo nuk është e mjaftueshme. Hapi tjetër duhet të jetë njohja.