Mësuesi Mark Shllaku ishte dënuar me pushkatim nga regjimi komunist në Shqipëri, për agjitacion dhe propagandë dhe për angazhim në një celule të PSD-së. Ai ishe vetëm 31 vjeç kur po shkonte drejt pushkatimit. Marku pas vetës la bashkëshorten Angje dhe dy bijat.

Vajza e tij Juli, përmes një emisioni televiziv ka publikuar letrat e të atit dërguar gruas së tij para pushkatimit.

“E dashtuna Angje e fëmijë!

Më kanë nda nga shokët për me më ekzekutu. Nuk po më dhimet jeta, vetëm se ju po ma mërzisni shpirtin.

Mos u mërzit për mue, vetëm m’i rrit fëmijët me hir të Zotit. Amanet babën e mos i trego për mue. Borxh i kam Halitit për tjegullat dhe në ardhtë dita, jepja për mue.

 

E dashtuna Angje!

Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mendjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e s’më lanë me dekë… banu e fortë.

Angje! Ne tu mbushtë mëndja me u martue e ke lejen teme por mos me më harrue. Por amanet fëmijët. Të kam dasht me shpirt deri tash në çast të mramë të jetës teme. Edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet mos u mërzit për mue por shikjo fëmitë. Ju puth me mall për herë të fundit.

 

E dashtuna Angje!

Të lutem me m’i ba hallall vuajtet që të kam shkaktue.

Të lutem me mu interesue për eshtrat e të mos më harrojsh për kurdoherë. Me m’i marrë eshtrat e me mi çu në një vorr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.

Hallall të gjithëve dhe ty të parës. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm.

Marku.”

Amaneti i Makrut për gjetjen e eshtrave të tij ende  nuk është përmbushur, vazja e tij Juli e ruan prej 70 vitesh këtë letër, me shpresën se një ditë do të mund të gjejë eshtrat e të atit./21Media