Lëvizja FOL: Programi qeverisës 2021-2025 dështoi t’i realizojë objektivat kryesore

Lëvizja FOL ka thënë se programi i Qeverisë së Kosovës 2021-2025 ka dështuar t’i realizojë objektivat e tij kryesore për shkak të ngecjeve procedurale, mungesës së përgatitjes teknike dhe mungesës së koordinimit institucional.
Në një analizë të këtij programi, të prezantuar të martën, Lëvizja FOL ka thënë se zbatimi i programit është përballë me vonesa në miratimin e politikave, defekte legjislative dhe mungesë të koordinimit ndërinstitucional.
Sipas Lëvizjes FOL, ndër problemet kryesore të legjislaturës së kaluar ka qenë vonesa në miratimin dhe zbatimin e ligjeve dhe kontestimi për shkelje procedurale. Rrëzimin e disa ligjeve nga Kushtetuesja, Lëvizja FOL e ka cilësuar si “nxjerrje në pah jo vetëm të mungesë së përgatitjes teknike të qeverisë, por edhe dobësisë së sigurimit të konsensusit më të gjerë politik e institucional për miratimin e tyre.
“Në përmbledhje, programi qeverisës për 2021-2025 ka dështuar të realizojë objektivat e tij kryesore për shkak të ngecjeve procedurale, mungesës së përgatitjes teknike dhe mungesës së koordinimit institucional”, thuhet në raport.
Raporti në përfundim ka konstatuar se disa nga objektivat e paraqitura në program duhet të rishikohen ose të formësohen më mirë, duke përmendur këtu iniciativat për vettingun dhe fondin sovran.
Në një konferencë për media të martën, kjo organizatë ka publikuar edhe të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar-dhjetor 2024.
Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, ka thënë se nga 544 aktivitete të parapara, Qeveria i ka realizuar 207 prej tyre apo 38 për qind. 163 kanë mbetur pa u realizuar e për 174 aktivitete s’ka pasur përgjigje nga ministritë.