23 prilli Dita Ndërkombëtare e Librit

23 prilli Dita Ndërkombëtare e Librit

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Librit, emisioni Bon Bon në RTV21 ia kushtoi një bisedë mjetit më të mirë të shpërndarjes së diturisë ndër breza, shkruan rtv21.tv

I cilësuar i rëndësishëm, libri, është mbrojtur me xhelozi që nga kohërat e hershme – apo është shpallur armik dhe është shkatërruar në epoka të caktuara. Pra, rëndësia i është dëshmuar.

Por, si është gjendja e librit shqip, ta themi më mirë, si është gjendja e librit në Kosovë?! Herë më mirë e herë më keq, herë më i shitur e herë më pak, herë me cilësi më shumë e herë jo, aq dhe herë i përkrahur e herë pa mbështetje.

Për të folur për të gjitha këto, të ftuar në emision ishin anëtari i Këshillit të Librit dhe kryetari i Shoqatës së Botuesve, Daut Demaku  dhe drejtori i Institutit Albanologjik në Prishtinë dhe ish-anëtari i Këshillit të Librit, Hysen Matoshi.

Demaku tha se sponsori më i fuqishëm i librit është lexuesi.

“ Ai që e mban gjallë librin, ai që është më i fuqishmi në Kosovë është pikërisht lexuesi. Po të mbetej libri në mëshirën e Institucioneve në Kosovë, apo në mëshirën e botuesve, po të mbetej në pjesët e saj buxhetore vija financiare, libri në Kosovë do të vdiste. Por, ka qenë lexuesi ai që e ka përkrah dhe stimuluar me blerjen e tij ”, tha Demaku, duke shtuar se jemi dëshmitar që në mesin tonë botohen libra, siç thotë ai që të neveritin dhe janë anti-prapagandë e tij.

Sipas Demakut, ka motive të shumta që stimulojnë botimin e librave të dobët.

“Ka motive që njerëzit dëshirojnë të shërojnë komplekse, ka motive që njerëzit e kanë egon të ekspozohen e të shesin mend, ka motive që paguhen për ta identifikuar një figurë, e që ndodhë jo rrallë herë, ka njëqind mijë motive që e stimulojnë botimin e librit, por për fat të mirë lexuesi është shumë i vetëdijshëm, e di shumë mirë se cili libër i duhet dhe atë e merr”, ka shtuar Demaku.

Në anën tjetër, Matoshi theksoi se konkurrenca e vlerave është ajo që e vë një balancë qoftë në planin e konkurrencës që vjen nga jashtë apo qoftë në planin e fluksit të madh të autorëve të rijnë, siç thotë ai që për ditë dalin.

Sipas tij, më shqetësuese është mungesa e kritikës letrare, mungesa e kritikës histori-grafike dhe kritikës për secilin lloj të botimeve, shkruan rtv21.tv

Matoshi tha se me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit do të duhej që në të gjitha komunat dhe shkolla të organizoheshin aktivitete ku nxënësit dhe të rinjtë në Kosovë ta kuptojnë se duhet të diskutohet për librin.

Demaku ka treguar se Këshilli i Librit në rregulloren e tij, parasheh që të ndihmojë, e jo ta financojë botimin e librave. Ndihmat sipas tij përcaktohen në bazë të vëllimit të librit, ato sillen në shumën prej 500 euro, rrallë herë vlera e ndihmës shkon  në 1 mijë euro, që i bie se nuk mbulohen as shpenzimet e shtypit./21Media