Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka njoftuar se mbrëmë ka qenë pjesmarrëse e panelit ministror të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

Ajo në “Facebook” ka shkruar se ka marrë pjesë në këtë panel me ftesë të Ministrit Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë Heiko Maas, nën moderimin e Ministrit Gjerman të Shtetit për Evropë Michael Roth.

Ministrja e Punëve të Jashtme tha së në fjalimin e saj ka ndarë me pjesmarrësit realitetin e Kosovës si vendi më i ri e me popullsinë më të re në Evropë.

“Poashtu theksova se Ballkani Perëndimor duhet të mirënjoh realitetin brenda vetes së pari, para se të kërkojë integrim të mëtejmë në strukturat eurointegruese. Vetëm mbi parimin e barazisë do të mund të ndërtojmë të ardhme të përbashkët. Në fund, nuk kisha se si të mos e theksoj mungesën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke kërkuar nga Presidenca Gjermane dhe BE-ja veprim strategjik dhe vendosmëri për të përqafuar afër vetes rininë e jashtëzakonshme kosovare”, tha Haradinaj-Stublla.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon që ende nuk ka liberalizim të vizave./21Media