Gjermania mori sot kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian duke ngjallur shpresa te reja te populli i Kosovës rreth liberalizimit të vizave.

Ky proces ka ngecur pavarësisht se autoritetet në Kosovë janë të sigurte se kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga institucionet evropiane.

Liberalizimi i vizave i është kërkuar që të ndodhë edhe emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i cili muajin e kaluar qëndroi për vizitë në Kosovë.

Krerët e shtetit e cilësojnë bllokimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës si të papranueshme.

Javë më parë edhe një grup deputetësh të Parlamentit Evropian i dërguan letër kancelares Angela Merkel, ku i kërkuan që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të vihet në agjendë gjatë Presidencës së BE-së nga Gjermania.

Fokus kryesor i presidencës gjermane do të jetë rimëkëmbja ekonomike pas goditjes që mori nga pandemia COVID-19, duke përfshirë këtu miratimin e Kornizës shumëvjeçare financiare dhe fondin për përballje me pasojat e pandemisë.

Ndryshe, Këshilli është organi kryesor vendimmarrës i BE-së. Së bashku me Parlamentin Evropian bartë përgjegjësinë për miratimin e ligjeve të BE-së. Këshilli i BE-së përbëhet nga ministrat e qeverive nacionale të të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Në takime marrin pjesë ministrat përgjegjës për temën që diskutohet.

Çdo gjashtë muaj, një shtet anëtar i ndryshëm merr përsipër presidencën e BE-së, që nënkupton kryesimin e këtyre takimeve dhe përpilimin e agjendës së përgjithshme politike.