Libri dhe filmi

Libri dhe filmi

Nga Ben Apolloni

 

Autori i librit “Story” Robert McKee, libër ky që në shumicën e shkollave te filmit konsiderohet si Bibël për skenarin, librin e tij e fillon me një anekdotë. Ai tregon se si në kohën kur po hamendej se çfarë të zgjidhte për të studiuar dhe pas disa dilemave vendosë. Kur i thotë nënës së tij se ka vendosur që të bëhet dentist, ajo ia plasë të qeshurës dhe i thotë: “Dentist? Po bënë hajgare, apo? Çfarë do të ndodhë kur të gjithë do t’i shërojnë dhëmbët? Ku do të mbesin dentistet atëherë? Jo, Bobi. Njerëzit gjithmonë kanë nevojë për argëtim. Unë po mendoj për të ardhmen tënde. Ti do të futesh në shoë business!”. Pra, nëna e Robertit, ishte një grua e zgjuar dhe e dinte se mirë se për çfarë kanë nevojë njerëzit. E dinte se njerëzi do të kenë nevojë për tu argëtuar dhe tregimet, romanet, dramat, filmat,etj., janë një nga mënyrat për t’i argëtuar të tjerët. Sigurisht që filmi, letërsia, artet në përgjithësi kanë edhe funksione të tjera përveç argëtimit të audiences. Por si e thotë Borgesi: “Nëse një vepër s’të jep kënaqësi ka dështuar”.

Në intervista e ndonjëherë edhe në shkrimet, recensionet që kam bërë për filmat që i kam parë, e kam përmendur se letërsia është një burim për filmin. Letërsia si një formë arti më e vjetër i ka parapri filmit, e ka udhëheqë dhe frymëzu qoftë nga ana përmbajtjesorë qoftë edhe duke ia mësuar teknikat e rrëfimit. Shumë filma janë bazuar në vepra letrare (kryesisht prozë ose dramë). Madje mund te thuhet se filmat më të mirë në historinë rreth 130 vjeçare të filmit janë krijuar duke u bazuar në vepra letrare. Vetëm ta kujtojmë autorin e madh të filmit, Stanley Kubrick, i cili, me përjashtim të dy filmave të parë, të gjithë të tjerët i ka të frymëzuar nga vepra letrare. Po ashtu letërsinë si frymëzim e kanë pas edhe Coppola, Kurosawa, Spilberg, Forman, Scorsese, P. T. Anderson, etj. Por ka ndodhe edhe e kundërta qe vepra letrare te jene shkruar duke u bazuar ne filma. Ta zëmë “Tangoja e fundit ne Paris”, etj.

Letërsia (proza dhe drama) në thelb ka rrëfimin, ngjarjen. Ashtu siç e ka edhe filmi. Letërsia më e mirë është ajo që ka ngjarje. Ngjarje të rrëfyera bukur me fjale. Kurse filmi ngjarjet i rrëfen përmes fotografisë, pamjes, por edhe me fjalë (dialogë por edhe përmes asaj që njihet si voice over). Madje edhe piktura thuhet se është rrëfim, ka ngjarje. Në esencë të secilës vepër arti është ngjarja që ajo rrëfen.

Letërsia, si formë arti është aq e vjetër sa mund të thuhet se është moshatare me njeriun. Njeriu në fillim nga nevoja për tu rrëfyer është mësuar të flasë. Mandej për të komunikuar me të tjerët në distanca të largëta e ka shpikë shkrimin. Mandej me kohë edhe mediumet tjera ku futet edhe filmi. Pra, si letërsia si filmi në esencë janë rrëfime të dikujt për dikë tjetër. Njerëzit kanë nevojë për tu rrëfyer por edhe për të dëgjuar, lexuar e parë rrëfimet e të tjerëve. Shpesh na bie të lexojmë letërsi që edhe përkundër asaj që autori mund ta zotërojë mirë gjuhën, mundohet të manipulojë me të, nëse nuk di të krijojë ngjarje, nëse rrëfimi i tij nuk ka ngjarje, fjalët e tijë janë boshe, letërsia e tij është e thatë. Njëjtë ndodhë edhe me filma ku regjisorët i kushtojnë shumë kujdes e mund krijimit të kuadrove të kompozuar bukur, por në mungesë të rrëfimit interesant filmat e tyre janë të zbrazët.

Letërsia dhe filmi janë në raporte nënë-fëmijë. Letërsia ka ndikuar shumë tek filmi, i ka dhënë shumë filmit, por edhe filmi duke u rritur e zhvilluar ka filluar ta mësojë nënën letërsi. Sot nuk ka shkrimtar të madh në botë që nuk e njeh mirë filmin dhe që nuk e përcjellë zhvillimin e kinematografisë. Sepse filmi vërtetë është art i ri krahasuar me letërsinë, muzikën, teatrin, …, por është art shtatë në një. Ai sintetizon të gjitha artet tjera dhe krijon atë që njihet si arti kinatografik. Por edhe nuk ka regjisor serioz që nuk e përcjellë letërsinë dhe që nuk mëson nga ajo. Shkrimtarët dhe filmaxhite vazhdimisht janë në raporte jep e merr me njëri tjetrin. Madje sot shumë shkrimtarë të shquar shkruajnë skenarë filmi, janë pjesë asaj që quhet industri e filmit. E, është thënë që edhe Shakspeare po të ishte gjalle do shkruante skenare.

Dallimet

Nëse një shkrimtari i duhen dy faqe për ta përshkruar një situatë, apo një personazh, një regjisori i duhen vetëm disa sekonda që ta bëjë prezantimin e situatës apo personazhit. Sepse filmi e tregon me pamje, me fotografi dhe dihet se një fotografi ka forcën e njëmijë fjale. E pikërisht këtu edhe lindë problemi kur regjisorët marrin veprat letrare që t’i adaptojnë për film. Ata shpesh kryeveprat e letërsisë botërore i shndërrojnë në filma medioker. Kjo ndodhë për arsye se disa regjisorë nuk arrijnë të ]lirohen nga madhështia e veprës letrare dhe nuk harrojnë se atë vepër, atë ngjarje, ato personazhe, tani po shfaqin para publikut në një formë tjetër të artit i cili rrëfen (shfaqë) përmes fotografisë, aktrimit, muzikës, etj. Ata mbesin robër të letërsisë dhe nuk arrijnë që figurat letrare t’i përkthejnë në figura filmike. Tjetër element që duhet të kihet parasysh kur veprat letrare shndërrohen në filma është edhe dialogu. Thuhet nga disa krijues filmi se një film i mirë është ai që mund ta rrëfejë ngjarjen pa dialogë por një gjë e tillë është provuar si absolutisht gabim. Ka qenë periudha e filmit pa zë, kur filmat nuk kane pasur dialogë por edhe atëherë është dashtë që të intervenohet, të jepen sqarime me fjale. Dhe shpikja e regjistruesit të zërit në film është revolucion në kinematografi. Dialogu në film dhe dialogu ne letërsi kanë të përbashkëtat por edhe dallimet mes vete. Në filmat e mire dialogu është veprues, dinamik, e shtynë ngjarjen e personazhet përpara. Si dhe përmes tij behet edhe tipizimi i karaktereve. Shumë skenarist (duke ndjekur modelin e Shakespeare) i shkruajnë vetëm dialogët e nuk bëjnë asnjë përshkrim të skenës, apo personazhit. Për atë dialogut ata i kushtojnë shumë vëmendje që të jetë sa më i saktë. Derisa në letërsi, ku gjithashtu shkrimtarët e mëdhenj i japin shumë rëndësi dialogut, kanë edhe mundësi që në faqe të tëra të bëjnë përshkrime.

Ekziston opinioni i disa njerëzve, kryesisht letrarë se filmi është shumë sipërfaqësorë krahasuar me letërsinë. Por ky është një konstatim i gabuar, naiv. Sepse si mund të jetë inferior arti kinematografik kur për ta realizuar një film punojnë ekipe artistësh nga departamente të ndryshme artistike. Dhe një regjisor duhet patjetër që t’i njohe të gjitha artet për ti kombinuar e krijuar një vepër kinematografike. Sigurisht, këta që thonë se filmi është inferiorë e bazojnë këtë në adaptimet e veprave të mëdha që janë bërë filma të dobët. Por krejt kjo varet se nga kush janë bërë ato adaptime. Sepse ta zëmë, regjisori Stanley Kubrick,

Çdo film që e ka bërë e ka tejkaluar veprën letrare në të cilën është bazuar. Edhe pse qëllimi i regjisorëve nuk është të bëjnë gara me shkrimtarët por thjeshtë e përdorin veprën letrare si frymëzim për një vepër të re në një medie të re.

 

Përfundim

Mund të thuhet lirisht se letërsia është nana e të gjitha arteve. Ajo i ka ushqyer të gjitha artet, e sigurisht edhe filmin. Por tek ne edhe pse filmi realizohet rrallë e përmallë, nuk ushqehet nga letërsia. Shkrimtarët dhe regjisorët nuk ia varin njëri- tjetrit. Kjo ndodhë ose se letërsia është një nënë shterpë ose se fëmijët e sajë janë mësuar me limonada.