Kryeministri Albin Kurti, kërkoi konsensus për dialogun, ndërsa iu drejtua deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos e trajtojnë shtetin si peng të mosmarrëveshjes me Serbinë.

Pas Kurtit, në foltoren e Kuvendit doli ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

Ai tha se pritën një fjalim serioz nga Kurti për dialogun e jo fjalim sharlatan me fraza hipokrite.

Hoxhaj kërkoi nga kryeministri që të sjell një platformë, strategji dhe parime për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai po ashtu kritikoi Kurtin se është duke shkuar në Bruksel pa i mbajt qëndrimet e veta të thëna vite më parë, ku e kundërshtonte fuqishëm dialogun.

Hoxhaj i kërkoi Kurtit që të kërkoj falje për dhunën e shkaktuar vite më parë si opozitë, kur e kundërshtonte këtë dialog me gaz lotsjellës.

Ndërkaq kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kritikoi kryeministrin e vendit se po niset për dialog pa kushte dhe i pa përgatitur.

“Kryeministri duhet të raportojë për raundin e ri të bisedimeve, ai tregoi për hapat e tij të ardhshëm në këtë proces. Çarë ka ndodhur deri tani e dimë, por çfarë do të bëjë Kurti? Nuk je më opozitar të kundërshtosh. Nga 25 minuta, 24 i pate për të shkuarën. E në të shkuarën ke përgjegjësi keni edhe ju, ka transformim te ju”, tha Abdixhiku.

Pas Abdixhikut në foltore doli kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili komentoi qëndrimin e Kurtit karshi dialogut.

Haradinaj tha se Kurti po fshehët nga dikush, por që nuk e dinë se nga kush po ikë.

“Nuk e kam të qartë prej kujt po i ikë e prej kujt po fshehët, a po ikë prej Vetëvendosjes, pra ndaj kauzës që ka ndërtuar ndër vite, ndaj njerëzve që i kanë besu. Për fat të keq, nuk e di Vetëvendosje a e kupton më liderin e vetë, nuk besoj që e kuptojnë”, tha Haradinaj./21Media