Liderët urojnë për Fitër Bajram

(Lajm i përditësuar)


Hamza uron Bajramin: Populli i Kosovës ka qenë dhe mbetet solidar

Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza gjatë vizitës në Bashkësinë Islame të Kosovës, theksoi se populli i Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë solidar.

Në festën e Fitër Bajrami, Hamza tha se ndjehet mirë që njerëzit në nevojë po ndihmohen e përkrahen nga populli.

“I urojmë të gjithë besimtarët duke u dëshiruar shëndet dhe të gjitha të mirat për ta dhe familjet e tyre. Është muaj i solidaritetit, populli jonë gjithmonë ka qenë solidar, është dhe jam i bindur se ky solidaritet, në bazë të asaj që na tregon myftiu, është duke u rritur dhe është tepër mirë që njerëzit në nevojë ndihmohen e përkrahen”, tha Hamza.


Festa e Bajramit, Abdixhiku: Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja dhe vendin tonë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka uruar festën e Fitër Bajramit.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se kjo festë rikujton vlerat që i bashkojnë: solidaritetin, faljen dhe kujdesin për njëri-tjetrin, sidomos për ata në nevojë.

“Lutje dhe agjërim të pranuar për të gjithë besimtarët që, me përkushtim, durim dhe besim në Krijuesin, përmbyllën këtë muaj të shenjtë. Uroj që kjo ditë e bekuar të sjellë paqe, shëndet e begati në çdo familje, si dhe më shumë unitet, mirësi dhe shpresë për Kosovën tonë. Me fat Fitër Bajramin! Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja dhe vendin tonë”, ka shkruar ai.


Haradinaj: Sa më bashkë, aq më mirë për ne

Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar të gjithë qytetarët festën e Fitër Bajrami, duke theksuar që të ketë solidaritet.

Haradinaj në Bashkësia Islame e Kosovës tha se sa më bashkë e solidarë, më mirë për popullin e Kosovës.

“Gëzuar festa me përkushtim, si e ka karakterizuar edhe muaji i shenjtë i Ramazanit. Me unitet që të jemi bashkë dhe solidaritet që t’i gjindemi njëri-tjetrit, sa më bashkë, sa më solidarë është mirë për të gjithë ne”, tha Haradinaj.


Kurti: Bajrami na kujton që duhet të japim për ata që kanë më pak

Kryeministri, Albin Kurti bashkë me ministra nga kabineti qeveritar ka shkuar për vizitë në Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit.

Ai ka uruar të gjithë besimtarët për këtë festë.

“Si çdo vjet edhe sivjet si për çdo Bajram vizitën e parë e bëjmë te myftiu Naim Tërnava, te kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, këtu në selin e tyre në Prishtinë për t’I falënderuar për angazhimin , punën, rolin, kontributin edhe aktual edhe historik” , tha Kurti.

“Sot kujtojmë edhe 37 hoxhallarë, imam, shehit që ranë heronj në luftën çlirimtare”, shtoi shefi i ekzekutivit.


Nga Bajrami te Pashkët, thirrja e Ipeshkëvit për unitet dhe mirëkuptim

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji ka uruar të gjithë qytetarëve të Kosovës Fitër Bajrami pavarësisht fesë që u takojnë.

Ai së bashku me një delegacion nga Kisha Katolike ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u ka uruar festën e Fitër Bajramit me mesazhin për unitet dhe tolerancë ndërfetare.

Gjergji shpreson për paqe në të gjithë botën, pasi sipas tij, ajo asnjëherë nuk ka qenë më e trazuar.

“Është një moment i mirë që të gjithë së bashku të festojmë. Ju uroj të gjithëve pavarësisht besimit katolik apo mysliman. Ne të gjithë kemi paqe në zemrat tona, harmoni dhe lumturi në familjet tona e mirëkuptim në shoqërinë tonë. I ftoj të gjithë të lutemi për paqe në botë sepse bota asnjëherë s’ka qenë më e trazuar se në këto momente. Ne në të vërtetë i festojmë Bajram e Pashk, por shqiptarinë e kemi bashkë dhe të ardhmen duhet ta ruajmë si të tillë”, tha ai.

BIK-un pritet ta vizitojnë edhe përfaqësues tjerë të institucioneve dhe liderë politikë.


“Të hapim zemrat dhe dyert”, mesazhi i Osmanit në ditën e Bajramit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, ku tha se festa e Fitër Bajrami rrit solidaritetin dhe vlerat njerëzore.

Osmani është pritur nga Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, i cili e ka falënderuar presidenten për dekoratën që iu është bërë BIK-ut.

Osmani tha se solidariteti është ajo që bën bashkë popullin në kohët më të rënda.

“Kjo ditë si gjithnjë të na bëjë të gjithëve bashkë, të hapim zemrat e dyert e secilit, të rrisim solidaritetin dhe vlerat njerëzore, të cilat gjithmonë na kanë bërë bashkë si popull në kohët më të rënda, ku pikërisht ky bashkim na ka ndihmuar që të tejkalojmë kohë shumë të rënda për shtetin dhe kombin tonë. Falënderoj Myftiun dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij për punën e jashtëzakonshme gjatë tërë vitit, në veçanti gjatë Ramazanit, për mbështetje të familjeve në nevojë. Falënderoj miqtë dhe aleatët tanë që shpesh përmes shtetit dhe Bashkësisë Islame ndihmojnë popullin. Qytetarët tanë zemërgjerë, përfshirë edhe ata nga mërgata jonë”, tha Osmani.

Për këtë ditë Bashkësinë Islame të Kosovës do ta vizitojnë edhe përfaqësues e liderë tjerë politikë e fetarë.

Back to top button