Pas përfundimit të garave, ku u mësuan skuadrat që do të largohen nga Superliga e futbollit të Kosovës dhe u duke iu referuar vendimit të mëhershëm që Liga e Parë të ndahet në dy grupe me nga 10 skuadra, si pasojë e pandemisë, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka marrë vendim për ndarjen e 20 skuadrave në grupin A dhe B me nga 10 skuadra.

Grupi A
1.KF ”Istogu”
2.KF “Malisheva”
3.KF “Onix”
4.KF ”Vëllaznimi”
5.KF “ Liria”
6.KF “ Drenasi”
7.KF “Trepça”
8.KF ”A&N”
9.KF “Dukagjini”
10.KF “Vushtrria”

Grupi B
1.KF “2 Korriku”
2.KF “Ramiz Sadiku”
3.KF “KEK-u”
4.KF “Ulpiana”
5.KF “Dardana”
6.KF “Vllaznia”
7.KF ”Vitia”
8.KF “Kika”
9.KF “Flamurtari”
10.KF “Ferizaj”

Skuadrat e para në grupe kalojnë direkt në Superligë, ndërsa dy vendet e dyta do ta luajnë një ndeshje “play-off-i” dhe më pas fituesi do të luajë një ndeshje barazhi me skuadrën e vendit të tetë të Superligës.

KE debatoi për përgatitjet për edicionin e ri të garave, ku u tha se gjendja e pandemisë Covid-19 po rëndohet dhe po përkeqësohet e kjo do të reflektojë edhe në fillimin e garave. Bizneset po ballafaqohen me vështirësi dhe kjo do të ndikojë edhe te financat e klubeve, ndaj FFK-ja duhet të jetë gjithmonë pranë klubeve që të tejkalohet kjo situatë që ka përfshirë tërë globin e me këtë dhe Kosovën.

Ligat e tjera (Liga e Parë-femrat, Liga U16-femrat, Liga e Dytë dhe e Tretë, ligat e futsallit, si dhe garat e kategorive të reja) do të vazhdojnë me formatin e njëjtë, teksa risi është lejimi i ekipeve B të klubeve të Superligës për të garuar në rangjet e ulëta.

Tutje KE shqyrtoi përgatitjet për garat ndërkombëtare të të gjitha garave dhe është i vetëdijshëm se do të jetë shumë e vështirë për t’u organizuar ato, pasi ambasadat nuk po punojnë ende për dhënien e vizave, sikur që do të ketë vështirësi edhe në hyrje në disa shtete që kanë vënë rregulla e tyre sa i përket mbrojtjes nga Covid -19. Por, gjithsesi duhet një angazhim i jashtëzakonshëm i të gjithëve në këtë drejtim.

Po ashtu KE mori vendim që të pushojë mandatet e të gjitha Komisioneve, me përjashtim të atyre që kanë proceduara të hapura deri në përmbylljen e tyre, duke kërkuar nga ata që sa më parë të mbyllen të gjitha lëndët.