Sot në prezencën e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla u mbajt punëtoria e radhës e grupit punues për rishikimin e Ligjit të ri për Shërbimin e Jashtëm, ku u shqyrtuan komentet e fundit të draft-ligjit para se ai të dërgohet për konsultim dhe miratim në Qeveri.

Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm, sipas ministrisë, do të zvogëlojë ndjeshëm kuotën e emërimeve politike dhe do të ofrojë saktësi të dispozitave si dhe siguri juridike për diplomatët e karrierës. “Ky ligj do të krijojë një shërbim të jashtëm funksional, efikas dhe të bazuar në llogaridhënie precize.”, informoi MPJD përmes komunikatës.

Ministrja Haradinaj-Stublla i ofroi mbështetje të plotë  anëtarëve të Grupit Punues, që drafti final i këtij Ligjit të jetë profesional me synimin që të eliminojë çdo mundësi për keqinterpretim të tij, siç ka ndodhur në të kaluarën, dhe të zvogëlojë dukshëm kuotën e emërimeve politike në diplomaci.

Me këtë rast, Ministrja Haradinaj-Stublla tha se ky është momenti i duhur që ky ligj të miratohet sa më shpejtë, marrë parasysh nevojën për përshtatjen me aktualitetin e ri në politikën e jashtme, si dhe faktin se Shërbimi i Jashtëm funksionon me ligje të miratuara para dymbëdhjetë viteve.

“E vlerësoj punën e madhe të Grupit Punues, i cili po punon me përshkushtim dhe profesionalizëm në finalizimin e Ligjit të ri për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës, i cili do ta ketë përkrahjen time të plotë deri në fund. Me këtë ligj eliminohen boshllëqet dhe paqartësitë aktuale që lejojnë keqzbatimin dhe interpretimin e pasaktë”, u shpreh ajo.

Me kërkesë të Ministres Haradinaj-Stublla, siç bëri të ditur MPJD, duke u bazuar në prioritetet qeverisëse, Ligji i ri, po ashtu, do të ketë si dispozitë kalimtare edhe vettingun diplomatik – të paralajmëruar nga shefja e diplomacisë kosovare qysh në fillim të mandatit të saj./21Media