Xhaferi: Ligji do të shpallet në një kohë të përshtatshme

Xhaferi: Ligji do të shpallet në një kohë të përshtatshme

Ligji për përdorimin e gjuhëve do të shpallet në gazeten zyrtare në një kohë të përshtatshme. Në intervistë për Radio Evropën e Lirë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi gjithashtu thekson se nuk ekziston afat i caktuar për shpallje, prandaj i njëjti do të shpallet atëherë kur ai do të vlerësojë sipas situatës në përgjithësi.

“Duke pasur parasyshë se nuk ekzistojnë afate në raport me shpalljen e ligjit, konsideroj se në një kohë të përshtatshme, kur do të vlerësoj se duhet të dorëzohet ligji në Gazetën Zyrtare, i njëjti do të shpallet. Në çdo rast kjo kohë do të përcaktohet atëherë kur unë e vlerësoj situatën në përgjithësi”, tha Talat Xhaferi.

Ai shtoi se me votimin e ligjit për së dyti herë në Kuvend, sipas kushtetutës kryetari i vendit është i obliguar ta nënshkruaj ligjin.

Sa i përket punës së Kuvendit, Xhaferi theksoi se është i kënaqur. Ai vlerësoi se puna e Kuvendit, rrjedhë normal duke marrë parasyshë edhe pengesat në të cilat ka kaluar Kuvendi.

“Unë personalisht jam i kënaqur nga puna e Kuvendit në raport të asaj se Kuvendi nuk ka pauza, por ka reorganizim të seancave dhe në këtë kontekst seancat janë të rregullta dhe i përmbushin nevojat për të gjitha materialet të cilat arrijnë në Kuvend dhe në një kohë të caktuar, siç është e paraparë me rregullore hyjnë në rend të ditës dhe kalojnë”, tha Xhaferi.

Megjithatë, ai theksoi nevojën edhe për disa reforma kyçe në Kuvend siç janë precizimi i normave të Rregullores që mos të ndodhë sërish keqpërdorimi i tyre për shkak të dykuptimsisë së tyre, si dhe pavarësimi buxhetor nga pushteti ekzekutiv.