Likaj tregon për mundësitë e nisjes së vitit të ri akademik

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka thënë se në fundjavë kanë shpërndarë 500 mijë maska për nxënësit kosovarë pas vendimit për hapjen e shkollave.

Likaj i cili është duke raportuar para deputetëve të kuvendit pas thirrjes së interpelancës, ka treguar për mundësitë e fillimit të vitit të ri akademik.

Likaj tha se është propozuar mësimi në distancë, por që vendimet do të merren nga njësitë akademike.

“Sa i përket vitit të ri akademik është shumë vështirë për me fol se si do ta zhvillojmë. Për arsye se sipas rekomandimeve antiCOVID për shkak të shmangies së kontaktit, meqenëse këta janë më të rritur, kanë propozuar një mësim në distancë por vendimet autonome i marrin vetë universitet dhe njësitë akademike. Vendimi për biblioteka, pas një numri të kërkesave të studentëve, bordi antiCOVID e ka shqyrtuar dhe e ka bërë të gatshëm për IKShP-në. Leja gjithmonë për fillimin e vitit të ri shkollor, për hapjen e institucionit dhe mbylljen e saj merret nga IKShP. Sa i përket konvikteve ende nuk ka mundësi sipas IKShP-së deri sa të përmirësohet gjendja me pandeminë”, u shpreh ai.

Sa i përket matjes së temperaturës së nxënësve, çështje që u ngrit nga Partia Demokratike e Kosovës, ministri Likaj tha se këtë mund të bëjë çdo kush, qoftë nga prindi apo edhe mësimdhënësit. Ndër tjera, ai ka folur edhe për dezinfektimit e shkollave.

“Përpos buxhetit të komunave, ne si ministri kemi ndarë 2,6 milionë euro për këtë punë. 1100 shkollave do të ju sigurojmë pajisje motorike që edhe ata t’i kenë këto pajisje. Sa i përket pajisjet me dezinfektantë, ju thatë që disa shkolla janë në gjendje të mjerueshme. 100 shkolla i kam vizituar unë, shtune të diele, dhe gjatë tërë javës përpos inspektoratit, krejt stafi është duke i inspektuar. Asnjë shkollë e pa certifikuar nuk ka filluar procesin mësimor”, ka shtuar Likaj.

Back to top button