Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj e ka uruar Qeverinë e re të Kosovës. Limaj në një shkrim në Facebook u shpreh se Kosova sot ka nevojë për një qeveri e cila kthen stabilitetin në vend dhe ulë gjakrat duke u kthyer të gjithë në respektim të institucioneve. Limaj u zotua se Nisma do ta japë kontributin e saj në zbatimin e programit qeverisës të harmonizuar mes partnerëve të koalicionit.

“Detyrat parësore të kësaj qeverie do të jenë rimëkëmbja e ekonomisë pas përballjes me COVID-19, përmbyllja e procesit të dialogut Kosovë- Serbi me njohje reciproke, liberalizimin e vizave, si dhe integrimin e vendit në instancat euroatlantike. Kabinetit qeveritar dhe kryeministrit Hoti iu uroj punë të mbarë në realizimin e programit qeverisës dhe në arritjen e objektivave.”, ka shkruar mes tjerash Limaj.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është votuar Qeveria Hoti, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim. Hoti do të qeverisë me kabinetin e tij të përbërë nga 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministra./21Media