Sipas tij, objektivi i marrëveshjes është zgjidhja e çështjeve të hapura

Sipas tij, objektivi i marrëveshjes është zgjidhja e çështjeve të hapura

Bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj e ka paraqitur platformën para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku ka thënë se refuzimi për të diskutuar për një platformë, tregon synime tjera përveç mbrojtjes së interesit të vendit. Ai ka numëruar temat e panegociueshme të Republikës së Kosovës.

“Temat e panegociushme, të pa tjetërsueshme dhe të pakthyeshme për Republikën e Kosovës janë statusi i Republikës së Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran në bazë të shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2018 dhe vendimit të gjykatës të vitit 2010, sovraniteti shtetëror dhe integriteti territorial është i panegociushëm, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ka përfshirë obligimet e dala nga pakoja e Ahtisarit, burimet natyrore, pasurit dhe asetet të cilat janë në territorin sovran të Republikës së Kosovës, karakteri unitar i Kosovës me të cilin nuk mund të ketë një nivel tjetër të qeverisjes përveç nivelit lokal dhe qendror“, ka thënë ai.

Ai duke lexuar platformën ka thënë se objektivi i kësaj marrëveshje ёshtё zgjidhja e tё gjitha çёshtjeve tё hapura, duke u mundësuar të dy shteteve të njohin sovranitetin e njëra-tjetrës dhe hapur rrugë Kosovës drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Sipas tij, kjo platformё paraqet qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës dhe përcakton parimet, qëllimet dhe pritjet e Republikës sё Kosovës në procesin e dialogut.

Limaj ka lexuar parimet kryesore të platformës, derisa shtoi se delegacioni shtetëror beson që Kosova nuk duhet t’i ikë tavolinës së bisedimeve dhe se parimet e platformës do të jenë udhërrëfyese për këtë proces.

Sipas Limajt, Kosova shkon në Bruksel për ta afirmuar shtetësinë dhe jo për të negociuar atë.

“Ne shkojmë në Bruksel jo për të negociar shtetin tonë, por për të afirmuar dhe fuqizuar shtetin tonë, ne shkojmë në Bruksel për t’i dhënë mundësi paqes në rajon. Ne shkojmë në Bruksel për të gjetur rrugët e fillimit të ndërtimit të bashkëpunimit të regjionit dhe shkojmë në Bruksel për t’i dhënë mundësinë të dy vendeve për të shkuar drejt integrime evropiane, si interes strategjik i vendeve tona dhe në këtë drejtim ne nuk duhet të hezitojmë dhe nuk duhet të vëmë asnjë pengesë për t’u ulur në tavolinën e atyre bisedimeve”, ka thënë tutje ai.

Limaj ka pasur disa fjalë edhe për refuzimin që po bëhet nga opozita për platformën e dialogut, si dhe sjelljet e tyre në Kuvend.

“Refuzimi për të diskutuar për një platformë e cila qartësisht e mbështet Republikën e Kosovës, atëherë tregon synime tjera përveç që mbrojtjes së interesit të vendit. Ftoj të gjithë që të votojnë platformën dhe Kosova ta ketë zërin e vetë zyrtar në dialogun e mundshëm”, shtoi ai.

Limaj ka thënë se vetëm duke qenë unik do të dalin faqëbardhe nga ky proces.