Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha sot se do të jetë vështirë të shkohet me lirimin e masave për veprimtari të tjera përderisa në veprimtaritë e lejuara përgjatë fazës së dytë dhe të tretë të hapjes graduale, nëse nuk respektohen masat e marra nga Qeveria e vendit dhe rekomandimet e IKSHPK-së.

“Disa veprimtari të tjera të parapara për t’u rivlerësuar në fazën e III-të duhet marrë më shumë kujdes, për shkak në njërën anë të presionit të madh që vjen prej tyre për t’u liruar, dhe në anën tjetër rrezikut të përhapjes së virusin, pasi që shumica prej tyre kanë të bëjnë me fluks të madh të qytetarëve që gravitojnë në to apo që janë pjesëmarrës dhe në veprimtaritë e lejuara respektimi i masave nuk po ndodh”, tha ai.

Ministri Zemaj tha kështu në takimin e Komitetit  për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me Coronavirus Covid-19, në të cilin u bisedua për situatën aktuale rreth Covid-19 në Kosovë.

Siç informon MSH, Zemaj tha se duhet vazhduar me një përcjellje  aktive të situatës lidhur me Covid -19, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejmë të virusit dhe mbajtjes në kontroll të tij.

Ai kërkoi nga inspektoratet, që secili brenda fushë veprimtarisë së tij, të mbikëqyrë dhe zbatojë masat e ndërmarra, në veçanti në sektorin e gastronomisë, ku mospërfillja e tyre është e theksuar.

Ministri theksoi se duhet analizuar edhe procesin në shkolla dhe institucione edukative, ndërkohë që kërkoi nga secili sektor, për fushën e veprimtarive së vet,  që të që të jetë më shumë përgjegjës për implementimin e masave të marrë secili në fushën e tij si ne asistencë me udhëzues apo rekomandime, ashtu edhe me implementim.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu tha se MPB do t’i respektojë dhe do të veprojë sipas të gjitha rekomandimeve që jep MSh dhe institucionet e tjera përgjegjëse në menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe bashkë me agjensionet e saj do të zbatojë masat.

“Në këtë takim, u theksua numri në rritje i personave që ditëve të fundit kanë rezultuar pozitiv në Covid-19, që ka sjellë rritjen edhe numrit të personave të hospitalizuar, ndërkohë që, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani si kryes i grupit të përbashkët me MSh, i dorëzoi Ministri Zemaj Draft Manualin që do t’u shërbejë veprimtarive të lejuara dhe atyre që do të lirohen në të ardhmen me udhëzimet për parandalim dhe mbrojtja nga Coronavirusi Covid-19 gjatë ushtrimit të veprimtarive.”, informoi Msh përmes komunikatës./21Media