Kombëtarja e Kosovës në basketboll të hënën në ora 15:00 do të udhëtojë për në Vjenë, prej nga më pas do të niset për në Bratislavë të Sllovakisë në “Bubble” të Dritares së Dytë të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023.

Stërvitjet do t’i zhvillojë nga data 24 Nëntor, në ditën në të cilën i gjithë delegacioni do të testohet për herë të tretë, pas dy herëve që janë testuar në Prishtinë më 16 dhe 21 Nëntor, gjithnjë duke u bazuar në protokollin e FIBA-s për Covid-19.

Granit Rugova, Drejtor i Përfaqësueseve të Kosovës:

“I kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura për tu nisur për në Bratislavë. Sa i përket testeve, i kemi kryer dy teste në Prishtinë dhe tani na pret edhe një test nga FIBA në datën 24 Nëntor.

Ne do të udhëtojmë të hendikepuar pa Dardan Berishën dhe disa lojtarë të tjerë, por basketbollistët që kanë qëndruar në karantinë nga dita e mërkurë e kanë dhënë maksimumin në stërvitje dhe ne së bashku me trajnerin (Christos) Marmarinos kemi punuar shumë me ta, edhe në aspektin mental në mënyrë që ata të jenë sa më të gatshëm për të gjitha sfidat që na presin në Bratislavë.

Bëhet fjalë për dy kundërshtarë shumë të fortë, pra Sllovakinë dhe Islandën, por ne premtojmë se do ta japim maksimumin në parket gjë të cilën e kanë premtuar djemtë tanë që nga dita e parë, që kemi hyrë në karantinë.

Duke u nisur nga fakti se bëhet fjalë për pandeminë Covid19, ne shpresojmë se edhe në këtë aspekt do të kalojmë mirë dhe nuk do të kemi ndonjë problem sa i përket kësaj pandemie, e cila na ka shkaktuar telashe të gjithëve. Sidoqoftë, ne jemi optimistë se nga Bratislava do të kthehemi kokëlartë dhe se djemtë tanë do të na bëjnë krenarë edhe një herë”.

Kosova do të përballet me Sllovakinë më 26 Nëntor, derisa dy ditë më vonë (28 Nëntor) përballet me Islandën.

Dardanët janë liderë të grupit, ku në muajin shkurt të këtij viti, shënuan fitore ndaj Islandës dhe Luksemburgut.

Lista

Drilon Hajrizi – Kapiten;
Edmond Azemi;
Alban Veseli;
Altin Morina;
Arian Qallaku;
Musab Mala;
Mikaile Tmusiq;
Urim Zenelaj;
Leonard Mekaj;
Erjon Kastrati;
Fisnik Rugova;
Valon Bunjaku;
Meriton Ismaili.