Lista Serbe: Kemi ruajtur targat KM

Pas marrëveshjes për targa mes Kosovës dhe Serbisë ka reaguar Lista Serbe.
Sipas tyre, me marrëveshjen e arritur në Bruksel, targat KM do të mbesin në përdorim dhe se nuk do të shqiptohen gjoba për qytetarët serbë që kanë targa të tilla.

Në reagimin e Listës Serbe është thënë se pronarët e automjeteve me targa KM do të mund ta zgjasin vlefshmërinë e tyre.

“Dëshirojmë të informojmë qytetarët se të gjithë pronarët e automjeteve me targa KM do të mund të funksionojnë normalisht dhe në momentin e skadimit të regjistrimit ekzistues do të mund ta zgjasin vlefshmërinë e regjistrimit si më parë. Qëndrimi ynë ishte të mbesin targat KM, të mos konfiskohen pronat e qytetarëve, të mos shqiptohen gjoba, e as të mos pengohet lëvizja e lirë e tyre. Kemi kërkuar që targat KM të mbeten, e jo të shtohet numri i tyre”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Kosova dhe Serbia arritën të mërkurën në mbrëmje një marrëveshje lidhur me çështjen e targave të makinave që përdoren nga qytetarët serbë në veriun e Kosovës, që kishte shtuar shqetësimet për nxitje tensionesh të reja./21Media 
Back to top button