LIVE- Vazhdon gjykimi i mbyllur ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së

(Lajm i përditësuar)

Është duke vazhduar dëgjimi i dëshmitarit të dytë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi.

Një ditë më parë (të hënën) e përfundoi dëshminë dëshmitarja e parë, ndërsa nisi i dyti, që fillimisht u intervistua nga ZPS-ja.

Prokuroria i ka kërkuar 7 orë kohë për intervistimin e dëshmitarit, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë.

Dëshmitari, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u pyet nga ZPS-ja për aktivitetin e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës

Përderisa dëshmia e dëshmitarit të dytë vazhdoi shumicën e kohës në sesion privat, gjatë seancës publike, ky dëshmitar tha se kishte kryer punë për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) derisa kishte qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ndërsa, shtoi se nga Drejtoria Politike e UÇK-së në Malishevë, ishte ushtruar presion që LDK ta pushojë aktivitetin e saj.

Seanca LIVE

Vazhdon dëshminë dëshmitari i dytë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çliritmare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të vazhdojë edhe sot nga ora 09:00.

Ndryshe dje në Dhomat e Specializuara ka përfunduar dëshminë e saj, dëshmitarja e parë, ndërkohë ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka thënë se është anëtar i LDK-së dhe ka thënë se ka qenë prezent në daljen e parë publike të UÇK-së.

Kujtojmë se që nga fillimi i javës së kaluar ka nisur dëgjimi i dëshmitares së parë ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Seancat janë duke u mbajtur të mbyllura për publikun.

Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./21Media

Back to top button