Në një moment tjetër të sezonit Liverpool-Chelsea do ishte një supersfidë që do të kishte vëmendjen e të gjithë botës së futbollit, megjithatë edhe pse The Reds janë shpallur kampion të Premier Leagues prej disa javësh, spektakli parashikohet të jetë i garantuar në sfidën që do të mbyllë javën e 37-të të kampionatit anglez.

Ndryshe nga skuadra e Jurgen Klopp që nuk ka mundësi për të kaluar as kuotën e 100 pikëve pas gafave që ka bërë në ndeshjet e fundit, Chelsea ka ende një objektiv të madh për të arritur pikërisht kualifikimin në grupet e Champions League për sezonin e ardhshëm.

Me një fitore ndaj një Liverpooli pa asnjë objektiv të mbetur në këtë sezon dhe me mendjen te pushimet e verës, Blutë e Londrës mund të sigurojnë matematikisht zonën Champions dhe më pas mund të mendojnë të qetë për finalen e FA Cup ndaj Arsenalit, kompeticion në të cilin Frank Lampard do të ketë mundësinë të fitojë trofeun e parë si trajner me Chelsea-n.

Kjo supersfidë do të startojë në orën 21:5. Po ashtu si edhe takimin e orës 19:00 mes Manchester United dhe West Ham, një ndeshje të cilën Djajtë e Kuq duhet ta fitojnë për të hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në Champions League për sezonin e ardhshëm.