Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci e ka quajtur lajm tronditës aktakuzën ndaj presidentit Hahsim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli.

“Në kohën kur presim që shteti ynë të marrë përkrahje për fuqizimin e shtetësisë, sundimin e ligjit dhe mirëqenies së qytetarëve, ne marrim lajm të padrejtë, nga institucioni i drejtësisë! Dy udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, deri më tani ishin të vetmit që nuk janë ndjekur penalisht. Lajmi tronditës se do të akuzohen, më shqetësoi pa masë.”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Tutje ai ka thënë se tendencat për njollosjen e UÇK-së nuk do të kenë sukses.

Tashmë, të gjithë drejtuesit madhor të UÇK-së, e përjetuan përndjekjen. Edhe drejtësia ndërkombëtare e di, ashtu sikurse të gjithë ne e dimë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë e pastër dhe e drejtë.Asnjë tendencë për të njollosur udhëheqësit tanë, në asnjë gjykatë, as vendore, as ndërkombëtare, nuk mund të ketë sukses.Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!”, ka përfudnuar Lladrovci./21Media