Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas konfimimit të aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi. Ai ka publikuar në Facebook një letër drejtuar Thaçit, në të cilën ka shprehur kurajo për Thaçin. Lladrovci më këtë rast ka thënë se është i tronditur nga lajmet e sotme për aktakuza dhe se shteti ynë nuk e ka merituar këtë.

Lajm sa trishtues, aq i pabesueshëm, sepse, këtë nuk e ka merituar as shteti ynë, as qytetarët tanë, as familjet Tuaja. Ju z. President me UÇK-në dhe popullin, keni qenë në anën e duhur të historisë, prandaj morën përkrahjen nga NATO dhe bota demokratike. Miku im, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në krye me Komandantin legjendar Adem Jashari, ishte pasojë e terrorit dhe gjenocidit që ushtronte Serbia për gati një shekull kundër qytetarëve të Kosovës. UÇK është krijuar për ta çliruar Kosovën, në rrethana detyruese për ne, për moralin atdhetar. Prandaj, edhe mbetet ushtria jonë më e lavdishme pas ushtrisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut“, ka shkruar Lladrovci, duke shtuar se UÇK dhe populli ynë liridashës, ishin mburojë e vijë qëndrese nacionale, për të luftuar rrezikun serioz që na kanosej nga gjenocidi serb.

Ai tutja ka thënë se Thaçi ka prezantuar përkushtimin atdhetar të gjeneratave të tëra për liri dhe sakrificën gati një shekullore që synonin lirinë dhe çlirimin.

Në kohën kur po prisnim të marrim përkrahje për fuqizimin e shtetësisë, sundimin e ligjit dhe mirëqenies së qytetarëve, ne marrim lajm trishtues. Armiqtë tanë, e arritën. Të gjithë drejtuesit madhor të UÇK-së, e përjetuan përndjekjen. Po, kjo është sakrifica juaj e radhës, për Kosovën dhe kombin tonë“, ka shkruar tutje ai.

Kryetari i Drenasit ka theksuar se asnjë tendencë për të njollosur udhëheqësit në asnjë gjykatë, as vendore, as ndërkombëtare, nuk mund të ketë sukses.

Tendenca për zbehjen e vlerave të luftës tonë çlirimtare, ishte një program i ish okupatorit, aleatëve dhe veglave të saj, për të barazuar kriminelin dhe viktimën. Këtë, kurrë nuk do të arrijnë ta bëjnë. Kurrë, sepse, lufta jonë çlirimtare, ishte dhe mbetet vlera më sublime e kombit tonë. Besoj fort në pafajësinë Tuaj dhe drejtuesve tjerë të UÇK-së, të cilëve ju ngrit aktakuza, sepse, ju keni bërë luftë të drejtë dhe në pajtim me normat ndërkombëtare. Ju presim fitimtar e faqebardhë, si gjithmonë!“, ka përfunduar Lladrovci.

Hashim Thaçi sot pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit. Ai tha se nuk do të lejojë që para gjyqit të dal presidenti andaj për të mbrojtur integritetin e Kosovës duke respektuar miqtë ndërkombëtar./21Media