Thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi

Thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka falënderuar qytetarët, punëtorët shëndetësor, asamblistët e kompanitë që vullnetarisht kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar në tejkalimin e situatës emergjente të shkaktuar nga virusi COVID-19.

I pari i Drenasit ka deklaruar se pozita e opozita duhet të bëhen bashkë ta tejkalojnë këtë situatë. Ndërsa ka ftuar qytetarët që të mos bëjnë dallime politike në këtë gjendje emergjente.

“Kam zhvilluar takime me dy deputetët e komunës tonë, Sejdi Hoxha dhe Ferat Shala të cilët kanë shprehur gatishmëri për të përballuar situatën emergjente. I kam falënderuar për gatishmërinë e tyre për të qenë pranë institucioneve lokale dhe qytetarëve. Dua të veçoj, takimin me asamblistët Petrit Gashi dhe Burim Bujupi, të cilët u interesuan për situatën dhe zbatimin e rrethanave emergjente, furnizimin e qytetarëve e çështjet tjera. I falënderova për takimin, i informova për çështjet në vijim dhe vendosmërinë tonë, për të zbatuar me përpikëri të gjitha rekomandimet për luftimin e përhapjes së virusit”, ka shkruar ai ndër tjerash.

Po ashtu i pari i Drenasit ka falënderuar edhe punonjësit e kompanive regjionale “Pastrimit”, “KUR Prishtina” dhe KEDs njësitë në Drenas të cilat po angazhohen në tejkalim të situatës. Si dhe falënderoi “Olti Group”, që bëri dezinfektimin e banesave.

Në fund u ka bërë thirrje qytetarëve të mos i japin shans virusit, sepse sipas tij “ai nuk bën dallime politike”. I ka apeluar qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi./21Media