Llapi shpreson ndaj Shkupit, Batatina: Rikthimi i tifozëve një epokë e re e historisë

Klubi nga qyteti i Podujevës, FC Llapi mbajti sot një konferencë për media para ndeshjes së kthimit kundër skuadrës maqedonase, FC Shkupi, e vlefshme kjo për ndeshjen e kthimit në kuadër të UEFA Conference League.
Ndeshjen e parë, Llapi u mposht në stadiumin “National Arena Todor Proeski” me rezultat solid 2:0, kurse nesër do të synojë përmbysjen e rezultatit në “Fadil Vokrri”.
Gjatë konferencës, të pranishëm ishin trajneri Tahir Batatina, kapiteni i skuadrës Bujar Idrizi dhe mesfushori Arbnor Ramadani.
I pyetur rreth çështjes së rikthimit të tifozëve, Batatina u shpreh i lumtur dhe tregoi që do të bëjnë të pamundurën në ndeshjen e nesërme.
“Mendoj që për mu si trajner i skuadrës së Llapit është një ndjenjë e veqantë, me vetë faktin që nesër rikthehen tifozët në tribuna. Tifozët janë ata njerëz të cilët për ne, për ta ne luajmë, për ta ne bëjmë gjithçka që ata të na përkrahin, të na mbështesin, dhe ne t’i kënaqim ata. Edhe mendoj që rikthimi i tifozëve për mu është prap një epokë e re e historisë. Pas pandemisë jemi skuadra e parë që i rikthejna tifozët dhe mendoj që është një ndjenjë e veqantë. Nuk ka qenë e lehtë, nuk ka qenë një vendim i lehtë me marr mbi supe si skuadra e Llapit e para pas pandemisë me tifozë, por falë bashkëpunimit të mirë me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe të gjithë që janë prezent, e njerëzit që janë angazhu, na kanë ndihmu shumë, na kanë përkrah shumë në qdo aspekt që edhe pas rikthimit të tifozëve të jemi te vëmendshëm dhe të vetëdijshëm por edhe të mos bojna gabime”, tha Batatina.
Po ashtu, Batatina dha detaje rreth numrit të tifozëve në stadium dhe tregoi që në “Fadil Vokrri” do të ketë të mbushur kapacitetin prej 30% me futbolldashës.
“Lajmin e fundit të cilin e morra tash, që Qeveria vendosi që të jenë 30% të tifozëve, një kërkesë e imja e cila ka qenë mediatikisht, dhe për këtë duhet ta falënderoj kryeministrin i cili është tash Albin Kurtin pas asaj kërkesës që e kam bë, kabineti i tij ka vendosur pikërisht që një ditë para ndeshjes të lejojë 30% të tifozëve dhe mendoj që rikthimi i tifozëve në tribuna është një arritje e madhe me vetëfaktin që të gjithë popujt kanë qenë në një ankth të thellë në aspektin psikologjik, ndërsa ndeshjet e futbollit dhe sporti i largon nga ajo pjesa e ngarkesës psikologjike, dhe të rikthehemi tek aktivitetet sportive, dhe jam shumë i lumtur që do t’i kemi nesër prezent tifozët në stadiumin Fadil Vokrri”, tha Batatina.
Për fund, trajneri llapjan tregoi mesazhin e tij që ka për tifozët.
“Ne do t’i themi tifozëve që do të bëjmë më të mirën. Unë do ta bëj punën time si trajner me stafin tim, lojtarët do ta bëjnë më të mirën në terren. Do të angazhohemi maksimalisht, dhe do të bëjmë gjithçka nga vetja që ta rikthejmë rezultatin, ta përmbysim rezultatin. Kam besim në këta djem, do të thotë që e thash edhe më herët që e kam analizua mirë Shkupin tash se nuk kisha njohuri në ndeshjen e parë, e cila ka bërë shumë ndryshime në skuadër dhe është vështirë për një trajner kur shkon dhe luan me një skuadër, duhet të ketë një pasqyrë më reale, por mendoj që këtë ndeshje e kemi më të qartë kundërshtarin. Luajmë në ‘Fadil Vokrri’ dhe mendoj që nesër tifozët do t’i kënaqim me një lojë më të bukur dhe për angazhim nuk do të dyshoj”, tha Batatina.
Nesër, me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” skuadra e Llapit do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit kundër skuadrës maqedonase FC Shkupi, e vlefshme kjo për UEFA Conference League.
Ndeshjen e parë, Shkupi e fitoi në shtëpi, në stadiumin “National Arena Teodor Proeski” me rezultat solid 2:0.

Back to top button