Për herë të parë në historinë e MLS-së, një lojtar do të ketë statujën e tij

Për herë të parë në historinë e MLS-së, një lojtar do të ketë statujën e tij

Kampioni në fjalë është David Beckham, të cilin Los Angeles Galaxy e nderoi me një skulpturë të bronztë, për pesë vitet e kaluara në formacionin kalifornian.

Statuja e Beckhamit u zbulua në hyrje të stadiumit “Dignity Health Sports Park”, në prag të ndeshjes së parë zyrtare të sezonit të ri mes Los Angeles Galaxy dhe Chicago Fires, e cila u fitua nga vendasit 2-1, falë një goli të shënuar nga Zlatan Ibrahimoviç.

Gjatë ceremonisë së zbulimit të statujës, morën pjesë në nder të Beckhamit edhe ish-bashkëlojtari i tij të Galaxy, irlandezi Robbie Keane, legjenda e NBA, Kobe Bryant dhe reperi i SHBA Snoop Dogg.

“Galaxy është një skuadër tepër speciale për mua. Të isha pjesë e historisë së saj është një privilegj për të cilin ndihem krenar. Të marr këtë njohje është një nder i madh për mua dhe do t’i jem gjithnjë jashtëzakonisht mirënjohës për mënyrën se si më kanë pritur dhe për atë që klubi, tifozët dhe qyteti i Los Anxhelosit më dhanë mua dhe familjes sime, që nga momenti i parë që arritëm. Jemi ndjerë si në shtëpi”, tha Beckham.