LSDM-BDI, opsioni i parë për Qeverinë e re?! Analistët tregojnë variantet e tjera të mundshme

 

Salla Kupolë e Kuvendit është gati për seancën konstituive për përbërjen e re parlamentare. Të martën, më 4 gusht, pritet të betohen deputetët e rinj në Maqedoninë e Veriut.

Pas kësaj edhe zyrtarisht do të nisin bisedimet mes partive për formim të shumicës për formim të qeverisë, ndonëse ka shumë zëra që thonë se negociatat joformale tashmë kanë nisur. Mbetet pikëpyetje se kush me kë do të koalicionojë. Çdo opsion mbetet i hapur.

Derisa partitë mbeten të mbyllura për të ndarë me publikun këto opsione, njohësit e çështjeve politike tashmë kanë analizat e tyre.

Albert Musliu është i sigurt se shtatori do ta gjejë Maqedoninë me qeveri të formuar. Bisedimet fillestare, por edhe si më të vështirat për formim të qeverisë, ai i sheh mes LSDM-së dhe BDI-së, e më pas thotë se mund të kërkohet shumicë më e gjerë, ku do të kyçeshin parti të tjera, si koalicioni ASH-Alternativa dhe PDSH-ja.

Numrat në mënyrë natyrore i drejtojnë Zaevin me Ahmetin, të cilët e kanë një shumicë të nevojshme, por tash sugjerimet e Komisionit Evropian, besoj se sugjerojnë që ato edhe të mund të implikohen dhe të bisedojnë edhe me të tjerët, të sigurojnë një shumicë pak më të gjerë me qëllim që disa procese të cilat na presin, veçanërisht ato me reformat dhe fillimin e bisedimeve me Unionin Evropian, të sigurojnë një shumicë më të madhe” tha Musliu.

Edhe analisti Vlladimir Bozhinovski koalicionin mes LSDM-së dhe BDI-së e sheh si opsionin e parë për shumicën e re, eventualisht me mbështetje të PDSH-së. Opsioni i dytë sipas tij është koalicioni mes VMRO-DPMNE-së, BDI-së, PDSH-së dhe mbështetjen me votë të “së Majtës”, por jo që të jetë pjesë e qeverisë.

Këto përbërje do të ishin jostabile me 61-62 deputetë thotë Bozhinovski, andaj për dallim nga Musliu që është skeptik për variantin e “qeverisë për shpëtim kombëtar” ku do të bëheshin bashkë të gjitha partitë, opsionin e koalicionit të gjerë Bozhinovski e sheh si zgjidhjen më të mirë nga opsionet që janë në dispozicion.

Jo se koalicioni i gjerë është ideal, sidomos në kushtet e Maqedonisë, por duke pasur parasysh opsionet e tjera që i kemi, ndoshta një koalicion i gjerë ku do të përfshinte të gjitha partitë më të rëndësishme dhe që do të kishte një kohëzgjatje prej 1 e ndoshta 2 vitesh, me qëllim që të ndahet barra që na pret në aspektin ekonomik e shëndetësor, të paktën për mua duket si zgjidhja më logjike” deklaroi Bozhinovski.

E krahas këtyre matematikave të mundshme për formimin e shumicës, kohëve të fundit ka pasur zëra edhe për “blerje të deputetëve” nga ana e LSDM-së. Musliu thotë se tendenca të këtilla kemi parë edhe më herët dhe se janë të mundshme, ndërkaq Bozhinovski thotë se një gjë e tillë mund ta rrënojë demokracinë.

Për formim sa më të shpejtë të qeverisë ka folur edhe Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Kejt Meri Bërns. Në intervistë për gazetën “Koha” ajo ka deklaruar se “duke pasur parasysh krizën me COVID-19 dhe çështjet e tjera të rëndësishme me të cilat përballet vendi, arritja e marrëveshjes për një qeveri të re që do të jetë në gjendje të zgjidhë këto çështje, andaj është prioritet”./TV21

Back to top button