Edhe pse ende nuk ka rezultate zyrtare nga KSHZ, megjithatë, LSDM ka shpallur fitoren në zgjedhjet e parakohshme lokale që janë mbajtur sot në Shtip.

Kandidati i tyre, Sashko Nikollov ka fituar 81% të votave që janë numëruar deri më tani, sigurisht me vërejtje se nuk janë përpunuar votat nga të gjithë vendvotimet. Por, siç qëndrojnë punët ai do të fitojë para Simon Polikarp, Goce Angellov, Trajçe Mitev dhe Llazar Naumov edhe atë me dallim të mjaftueshëm që të mos ketë nevojë për rreth të dytë.

Kandidati i LSDM, i cili ka shpallur fitoren, ka deklaruar se pa marrë parasysh se cilës parti politike i përkasin, Shtipi është qytet i gjithë qytetarëve dhe të gjithë së bashku do të mundohen të ndërtojnë një komunë më të mirë.

“Tani do të flas në dialektin e Shtipit,  që të më kuptoni më mirë. Sot dëshmuam se në Shtip mbizotëron demokracia. Dëshmuam se çdokush që dëshiron të bllokojë, të obstruojë, të destrukturojë  këtë komunën tonë të bukur, nuk e ka vendin këtu”, ka deklaruar Sashko Nikollov.

Ndërsa, kryetari i LSDM-së ka theksuar se ka fituar kandidati i vërtetë.

“Kishim ditë të suksesshme fituese, në zgjedhje të drejta, të lira, demokratike dhe më e rëndësishmja të sigurta për shëndetin. Fitoi kandidati i vërtetë, mjeku Sashko Nikollov. Sonte fitoi Shtipi dhe dëshira që të vazhdojë  zhvillimi dhe progresi i këtij qyteti”, deklaroi Zoran Zaev – Kryetar i LSDM-së, shkruan TV21./21Media