Luani kosovar mposhtet

Boksieri junikas Haxhi “Robin” Krasniqi është mposhtur nga boksieri armen Arthur Abraham

Lufta në qendrën Messe Erfurt në Gjermani u përcoll nga shumë njerëz, dhe numri tre në këtë kategori Robin Krasniqi u mposht dhe humbi mundësinë për tu ndeshur me të pamposhturin Gilberto Ramirez për titullin e kategorisë WBO.

Krasniqi pushtoi arenën me rreth 20.000 shikues me një hyrje shoqëruar nga kënga “Kuq e Zi Je Ti” e Elvanës dhe Florit, por dështoi të pushtonte ringun, shkruan rtv21.tv.

30 vjeçari Haxhi Krasniqi u mposht nga 37 vjeçari Arthur Abraham me anë të vendimit unanim të gjyqtarëve.

Të dy boksierët hynë në ndeshje me një bilanc fitoresh mjaftë të mirë, me 50 luftëra secili, Krasniqi ishte pak më i mirë me 46 fitore e vetëm 4 humbje, përderisa edhe Abraham kishte vetëm 5 humbje në 50 luftërat e tij. Tani humbjet e Krasniqit ngriten në 5 ndërsa fitoret e Abraham në 46.

Raundi i parë filloi baras, me të dy boksierët duke u kujdesur nga goditjet, edhe raundi i dytë kaloi njësoj me Abraham i cili mbrohej më shumë se Krasniqi por godiste kur kishte mundësinë. Raundi i tretë i takoi Krasniqit i cili dhuroi disa goditje të mrekullueshme. Edhe raundi i katërt ishte i barabartë, ku në një nuancë ishte më i mirë kosovari.

Raundi i pestë i takoi armenit Abraham, mirëpo edhe Krasniqi arriti që disa goditje t’i dërgonte në cak. Edhe në raundin e gjashtë Abraham tregoi qetësi më të madhe, mbrohej më mirë se Krasniqi, por iu tërhoq vërejtja disa herë për goditje pas kokës. Raundi i shtatë kaloi me goditje më të shpeshta të Krasniqit mirëpo goditje më të rënda të Abrahamit. Raundi i tetë u rikthye në favor të Robinit i cili shpërndau disa goditje të rënda në drejtim të Arthur Abraham.

Raundi i nëntë tregoi lodhjen e Abrahamit, me Krasniqin i cili sulmonte pa pushim, mirëpo Abraham lansoi disa goditje mjaftë të rënda në drejtim të kosovarit. Në raundin e dhjetë u pa lodhja e të dy boksierëve, mirëpo goditjet nuk u ndalën nga asnjëri. Në raundin e njëmbëdhjetë u panë goditje të fuqishme, mirëpo lodhja shkaktonte mbrojtjen e madhe të Abraham dhe ikjen e Krasniqit nga duelet. Raundi i fundit ai i dymbëdhjeti kaloi me Krasniqin duke iu shmangur Abrahamit gjatë 3 minutave, dhe me Abrahamin i cili kërkonte fitoren.

Robin Krasniqi ka qenë 2 herë në luftë direkte për titull, duke u mundur të dyja herët nga Nathan Cleverly dhe Jurgen Brahmer./21Media

Back to top button