Mikrobiologu Lul Raka sonte ka folur për variantin e ri të koronavirusit, i cili u raportua se është shfaqur në Britaninë e Madhe.

Raka ka deklaruar se varianti i ri i koronavirusit përcaktohet nga mutacione të shumta të proteinave të virusit, të cilat ndodhen në sipërfaqen e tij dhe kanë formën e xhembave apo thumbave (delecionet 69-70, 144, N501Y, A570D, D614G, P681H, T716I, S982A, D1118H) si dhe mutacionet në rajone të tjera gjenomike.

Raka përmes facebook-ut është shprehur se ende nuk dihen detajet e plota të patogjenezës së këtyre ndryshimeve, por ekzistojnë disa supozime fillestare të shkencëtarëve.

“Një shpjegim i mundshëm për shfaqjen e variantit të ri është infeksioni i zgjatur me SARS-CoV-2 në një pacient të vetëm, potencialisht me imunokompetencë të zvogëluar. Infeksioni i tillë i zgjatur mund të çojë në akumulimin e mutacioneve të quajtura “escape mutations”.
Një shpjegim tjetër i mundshëm mund të jetë procesi i adaptimit të virusit që ndodh në një specie të ndryshme të kafshëve të ndjeshme dhe më pas kalon te njerëzit. Kjo çoi në shfaqjen e një varianti me mutacione të shumta të proteinave xhembore (duke përfshirë mutacionin R45D Y453F dhe fshirjen 69-70) në Danimarkë gjatë transmetimit ndërmjet kafshëve të grupit të mustelidëve. Britania e Madhe i ka raportuar ECDC dhe Zyrës Rajonale të OBSH-së për Evropën se nuk ka ndonjë lidhje të qartë epidemiologjike ndërmjet variantit të ri dhe kafshëve.
Së fundmi, është gjithashtu e mundur që varianti i ri të jetë shfaqur përmes qarkullimit në vendet, të cilat nuk kanë mundësi për ta bërë sekuencionimin gjenetik.” ka shkruar Raka.

ÇFARË NDIKIMI MUND TË KETË NË SHËNDETIN E NJERIUT ?

Sipas mikrobiologut Raka, viruset vazhdimisht ndryshojnë përmes mutacionit dhe shfaqja e një varianti të ri është një dukuri e pritshme. SARS-CoV-2 është ARN virus dhe mutacionet ndodhin si fenomen natyror gjatë shumëzimit të virusit.
“Tashmë ka pasur afër 4000 mutacione në proteinën xhembore, por vetëm një numër shumë i vogël i tyre kanë patur rëndësi në ndryshimin e virusit.
Shumica e mutacioneve që shfaqen tek virusi, nuk do t’i japin ndonjë përparësi selektive virusit. Sidoqoftë, disa mutacione ose kombinime të mutacioneve mund t’ia sigurojnë virusit një përparësi selektive, siç është transmetimi i rritur përmes rritjes së lidhjes me receptorët.”, ka shkruar tutje Raka.

A MUND TË PËRHAPET MË GJERË KY VARIANT?

Siç ka theksuar Lul Raka, nalizat e para në MB sugjerojnë se varianti i ri përhapet shumë më shpejt duke rritur numrin riprodhues (R) me 0.4 ose një rritje të përhapjes deri në 70%.

A MUND TË SHKAKTOJË SËMUNDJE MË TË RËNDË?

Mikrobiologu ka shtuar se nnformacioni në dispozicion në lidhje me ashpërsinë e variantit të ri të virusit është i kufizuar.

“Deri tani nuk është raportuar se ky variant ka një shkallë më të lartë sëmundshmërie, vdekshmërie dhe as nuk prek më shumë grupe të veçanta. Rastet me variantin VUI 202012/01 janë identifikuar kryesisht në njerëz më të rinj se 60 vjeç.
Mutacionet që e bëjnë virusin më infektiv nuk është e thënë ta bëjnë më të rrezikshëm. Momentalisht, nuk ka dëshmi se ky variant është klinikisht më i rrezikshëm sesa variantet paraprake. Por, vlerësimi sfidohet nga fakti se shumica e rasteve janë raportuar tek personat nën 60 vjeç, të cilët zakonisht kanë më pak gjasa të kenë simptomatologji të rëndë.
Asnjë nga variantet e përshkruara më parë të SARS-CoV-2 nuk është treguar se shkakton rritjen e ashpërsisë së infeksionit. P.sh. varianti D614G që pat shkaktuar përhapje më të madhe gjatë verës nuk ka qenë shkaktar i shfaqjes së sëmundjes me pasqyrë më të rëndë klinike.”, ka shtuar ai.

A DO TË NDIKOJË NË EFEKTIVITETIN E VAKSINAVE?

Varianti i ri i virusit, sipas mikrobiologut Raka shfaq disa mutacione në proteinën xhembore, përfshirë këtu edhe vendin e lidhjes së receptorit.

“Shumica e vaksinave të reja bazohen në sekuencën e proteinave xhembore. Por, vaksinat prodhojnë antitrupa ndaj shumë regjioneve të proteinës xhembore, prandaj është pak e besueshme se një ndryshim i vetëm do ta bënte vaksinën më pak efikase. Është e domosdoshme të monitorohen ndryshimet në këtë proteinë midis llojeve qarkulluese SARS-CoV-2 dhe të vlerësohen ndryshimet e mundshme antigjenike. Do të jetë e rëndësishme të kryhet mbikëqyrja e efektivitetit në terren të vaksinave COVID-19 në përdorim.”, ka shtuar tutje ai.

Mikrobiologu ka treguar edhe masat që duhet të merren për parandalimin e variantit të ri të virusit.

ÇFARË MASASH DUHET NDËRMARRË PËR PARANDALIM?

Nevojiten masa që ndërmerren me kohë të duhur në përpjekje për të parandaluar dhe kontrolluar përhapjen e variantit të ri:
“• Personat që kanë çfarëdo lidhje epidemiologjike me rastet me variantin më të ri të virusit ose histori udhëtimesh në zonat e prekura duhet të identifikohen menjëherë për t’u testuar, izoluar dhe ndjekur kontaktet e tyre.
• Të respektohen rreptësisht masat parandaluese.
• Të shmangen udhëtimet nga zona e prekur ose në zonën e prekur dhe të shmangen aktivitetet sociale joesenciale.
• Laboratorët duhet të rishikojnë performancën e PCR dhe të shmangin diagnozën që bazohet vetëm përmes gjenit S.
• Duhet të mbikqyren rastet e dyshuara të ri-infektimit të COVID-19, duke bërë sekuencionimin e menjëhershëm të tyre.
• Me zbatimin e vaksinimit, duhet të sigurohet një monitorim i ngushtë i individëve të vaksinuar COVID-19 për të identifikuar dështimet e mundshme të vaksinimit.”, ka përfunduar Raka.

Ndryshe, disa shtete të Bashkimit Evropian kanë ndërprerë fluturimet që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar dhe të tjera shtete po e shqyrtojnë një mundësi të tillë, nga frika se një variant i ri i koronavirusit, i shfaqur në Angli, mund të përhapet edhe në pjesë të tjera të kontinentit evropian. Gjermania, Holanda, Belgjika, Austria dhe Italia kanë njoftuar për kufizime në udhëtimet me Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sonte u ka bërë thirrje anëtarëve të saj në Evropë të “forcojnë kontrollin” për shkak të shfaqjes së një lloji të ri të koronavirusit në Britaninë e Madhe./21Media