Kryetari i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka reaguar ndaj bastisjeve të sotshme të EULEX-it në shtëpitë e Jakup Krasniqit.

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Drenicës, skenat e sotme i ka vlerësuar të panevojshme.

Ai ka thënë se spektakle të tilla duke bastisur shtëpitë e luftëtarëve të lirisë janë të panevojshme, të cilat shumë lehtë mund të nxisin tensione dhe pakënaqësi.

Nuk ka dilemë që Jakup Krasniqi do të pranonte çdo ftesë dhe do t’i përgjigjej drejtësisë, ashtu sikurse ju përgjigj edhe Rexhep Selimi. Të dy këta, janë ndër luftëtarët e dalluar që në kohën më të vështirë, morën armët për të mbrojtur vendin nga regjimi kriminal i Serbisë. Roli i tyre ishte shumë i rëndësishëm për konsolidimin e radhëve të UÇK-së. Jam i bindur që lufta e tyre është e pastër, siç ishte i pastër ideali i të gjithë luftëtarëve për lirinë e vendit!“, ka shkruar Lushtaku.