Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, zhvilloi sot një video konferencë (takim virtual) me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, fillimisht e falënderoi kryeministrin Hoti dhe ambasadorin Gashi për mbështetjen që i kanë dhënë Francës, me rastin e sulmeve të fundit terroriste në Paris.

Hoti ndërkaq, vlerësoi lartë kontributin e çmuar që ka dhënë Republika e Francës në mbështetje të shtet ndërtimit dhe forcimit të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës.

Ai e njoftoi Presidentin Macron me veprimet e fundit nga Dhomat e Specializuara që sollën edhe dorëheqjen e Presidentit Thaçi.

Në komunikatë thuhet se, Kryeministri Hoti e siguroi Presidentin Macron se, Qeveria e Kosovës me përkushtim do t’i kryej të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e parapara me Kushtetutë dhe do të jetë bashkëpunues konstruktiv me bashkësinë ndërkombëtare. “Ndërkohë që partitë politike parlamentare janë të gatshme për të gjetur zgjidhje në përputhje me ligjet dhe kushtetutën”.

Presidenti Macron përshëndeti sjelljen me dinjitet, pjekurinë e kulturën e lartë politike të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, pas veprimeve të fundit nga Dhomat e Specializuara.

Kryeministri Hoti dhe Presidenti Macron biseduan edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohe reciproke, në kufijtë aktual.

Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan që të organizohet edhe një takim i nivelit të lartë rreth ecurisë së procesit të dialogut, sipas formatit të Samitit të Parisit.

Lidhur me liberalizimin e vizave, Kryeministri Hoti dhe Presidenti Macron, u dakorduan që ditëve në vijim, si pjesë e mekanizmave për verifikim, të zhvillohen takime në nivel të ekspertëve që do të pasoheshin me takimin në nivel politik midis ministrave të brendshëm të të dyja vendeve.

Presidenti Macron, ju përgjigj pozitivisht ftesës së kryeministrit Hoti, për vizitë shtetërore në vendin tonë./21Media