Madonna bën marrëveshje me Netflix për lansimin e dokumentarit të ri
18 Shkurt 2021
Ylli botëror i muzikës pop, Madonna, ka bërë marrëveshje me Netflix që të transmetojë dokumentarin e ri dedikuar asaj, që përfshinë skena nga turneu i quajtur ‘Madame X’. Madona këtë turne e përfundoi kah fundi mars i vitit të kaluar.
Ky dokumentar do të përfshijë edhe prapaskena të Madonës gjatë interpretimeve, ndërkohë që do të detalizojë edhe pjesët ku ajo lëndoi gjurin, e si shkak i të cilit lëndim u detyrua të anulojë disa koncerte.
Një burim për “The Sun” ka thënë se Madonna me këtë dokumentar dëshiron të tregojë se çfarë spektakli ka qenë turneu i saj, përcjell rtv21.tv
Dokumentari i ri dedikuar Madonna-s vjen 30 vjet pasi që u realizua dokumentari tjetër dedikuar asaj, “Truth Or Dare”, i cili paraqet jetën e saj gjatë turneut ‘Blond Ambition’ (Bllond Embishen). Ky dokumentar u vlerësua njëri prej më fitimprurësve që u realizua ndonjëherë.
Sa i përket dokumentarit në Netflix, ka të dhëna se Madonna e ka marrë shumë seriozisht atë, pasi që me javë të tëra e ka shikuar dhe montuar në shtëpi.
E pasi që me Netflix më parë bënë marrëveshje disa këngëtare për lansim të dokumentarëve dedikuar punës së tyre, si Beyonce, Lady Gaga e Taylor Swift, dhe me ta arritën suksese, edhe Madonna shpreson të arrijë suksese me dokumentarin e saj.
Veç këtij dokumentari, Madonna është duke punuar edhe në një film që i dedikohet jetës së saj, skenarin e të cilit e ka bërë bashkë me Diablo Cody./21Media