Manastiri i Deçanit rrezikon të shpallet në mesin e 7 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë

 

Manastiri i Deçanit rrezikon të shpallet në listën e 7 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë për vitin 2021. Lista e plotë do të zbulohet në Mars.

Në dhjetor të vitit 2020, organizata Europa Nostra ka nominuar Manastirin e Deçanit në mesin e 12 vendeve të trashëgimisë më të kërcënuara në Evropë. Nga kjo listë do të shpallen 7 objektet kulturore më të rrezikuara 2021.

Në raportin e Europa Nostra, theksohen dy arsye pse Manastiri i Deçanit është ndër objektet e rrezikuara: sulmi ndaj Manastirit të Deçanit në vitin 2016 nga siç thuhet “ISIS” dhe arsyeja e dytë-projekti i ndërtimi të rrugës nga Deçani për në Plavë.

Lidhur me këtë Nora Visoka Weller, avokatja dhe studiuesja e trashegimisë kulturore në Universitetin e Cambridge-it i është drejtuar organizatës Europa Nostra. Visoka-Weller në shkrimin drejtuar organizatës Europa Nostra ka kërkuar që nominimi i Manastirit të Deçanit të rishikohet.

“Manastiri i Deçanit nuk është një ndër 7 objektet më të rrezikuara në botë. Manastiri i Deçanit mbrohet me ligjin mbi Zonat e Posaqshme të Mbrojtura dhe është nën mbrotjen e përditshme të forcave të KFOR-it. Për më shumë, aludimi se në 2016 ka pasur atak nga grupet terroriste të ISIS nuk qëndron dhe nuk është konfirmuar nga forcat e KFOR-it, sigurimi shtetëror dhe bashkësia ndërkombëtare, ndërsa çështja e zgjerimit të rrugës Deçan-Plavë është zgjedhur me ndërmjetesimin e Ambasadorit Italian në Kosovë. Prandaj, ky nominim duhet të rishikohet”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka theksuar se ky lloj keqinformimi në nivel ndërkombëtarë dhe politizimi i trashëgimisë kulturore në këtë mënyrë i pengon të gjitha tentimet lokale dhe ndërkombëtare për ndërtimin e harmonisë ndër etnike në Kosovë.

RTV21 i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme(MPJ) për një sqarim se a janë në dijeni dhe a do të reagojnë për këtë kategorizim të dëmshëm për Kosovën. MPJ ende nuk ka kthyer përgjigjen.

Manastiri i Deçanit është ndër monumentet e trashëgimisë më të dalluara të kohës së tij, i ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të 14-të./21Media

Back to top button